Takimi mes kryediplomatëve të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për Ukrainën të premten në Gjenevë nuk solli ndonjë rezultat, por ata ranë dakord të vazhdojnë bisedimet në përpjekje për të zgjidhur krizën që ka shkaktuar frikën për një konflikt të mundshëm ushtarak.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha pas bisedimeve me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov të premten se Moska do të përballet me një “përgjigje të shpejtë, të ashpër dhe të bashkuar” nëse ndërhyn në Ukrainë.
Zoti Blinken tha pas bisedimeve të dy kryediplomatëve në Gjenevë se Uashingtoni kishte rënë dakord t’i jepte komente me shkrim Rusisë për propozimet që ka bërë Moska.
Por zoti Lavrov tha pas bisedimeve, se mënyra se si do t’u përgjigjen Shtetet e Bashkuara kërkesave të sigurisë së Moskës, do të tregojnë nëse bisedimet ishin në rrugën e duhur.
Ndërsa zoti Blinken përsëriti qëndrimin amerikan se i takon Ukrainës të vendosë për Ukrainën.
Megjithatë ai i përshkroi bisedimet e së premtes me ministrin Lavrov, si të sinqerta dhe të dobishme.
“Ne kemi qenë të qartë se nëse ndonjë forcë ushtarake ruse kalon kufirin e Ukrainës, kjo do të përbënte një pushtim të ri. (Një veprim i tillë) do të përballet me një përgjigje të shpejtë, të ashpër dhe të bashkuar nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët dhe aleatët tanë,” tha zoti Blinken në një konferencë shtypi në Gjenevë.
Shtetet perëndimore druhen se se Moska po planifikon një sulm të ri në Ukrainë pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014. Rusia mohon të jetë duke planifikuar një sulm, por thotë se mund të ndërmarrë veprime të papërcaktuara ushtarake nëse kërkesat e saj të sigurisë nuk plotësohen.
Blinken tha se Uashingtoni ishte përpjekur gjatë bisedimeve të së premtes të përcaktonte nëse Moska ishte e përgatitur të ndiqte rrugën diplomatike për të zbutur tensionet mbi Ukrainën.
Të dyja palët ranë dakord se ishte e rëndësishme që procesi diplomatik të vazhdojë, tha ai.
Zoti Lavrov tha pas takimit me zotin Blinken se ai shpresonte që emocionet mbi Ukrainën të qetësoheshin dhe përsëriti pohimet ruse se ajo nuk përbën kërcënim për fqinjin e saj./