Shtetet e Bashkuara kanë në plan të vendosin sanksione të reja ndaj Iranit të hënën, me synimin për të ushtruar më tepër presion ndaj ekonomisë së këtij vendi, në mënyrë që qeveria iraniane të ndryshojë sjelljen.
Sekretari i Shtetit Mike Pompeo i quajti masat e reja “të rëndësishme”, por nuk pranoi të jepte detaje specifike për gazetarët, para njoftimit zyrtar të sanksioneve.
Ai i bëri këto komente para se të fillonte një udhëtim në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, në vijim të përpjekjeve të administratës Trump për të ndërtuar një koalicion aleatësh për t’iu kundërvënë Iranit. Zoti Pompeo u takua të hënën me Mbretin Salman Saudit dhe me princin e kurorës Mohammed bin Salman.
Irani ka mohuar të punojë për zhvillimin e armëve bërthamore dhe në vitin 2015 nënshkroi një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Kinën, Francën, Rusinë dhe Gjermaninë për zbutjen e këtyre shqetësimeve, duke kufizuar aktivitetin e saj bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.