ShBA donacion RMV-së për ballafaqimin me Kovid-19

Përmes programit ndërkombëtar për përkrahje në trajnimin e hetime penale, SHBA donoi për MPB-në, Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Kryqin e Kuq mjete dhe pajisje që do të destinohet për menaxhim me situatën me pandeminë Covid-19.
“Qëllimi i  këtij donacioni është që t’ju sigurojmë forcave këtu të punojnë në mënyrë më efikase, ta ruajnë më mirë shëndetin e tyre dhe t’ju ndihmojnë të gjithë qytetarëve të cilët janë në nevojë.”,- tha ambasadorja e SHBA-së në RMV, Kate Burns.
Ministri i brendshëm, Spasovski, falënderoi SHBA-në për mbështetjen e vazhdueshme në dikasterin që ai drejton. Donacioni në fjalë,  sipas tij, menjëherë do të vihet në shfrytëzim dhe përdorim.
“Pajisje me vlerë  prej 163 mijë dollarë amerikane menjëherë  do të vihen në funksion në organizime adekuate, në njësitë e MPB-së. Pajisjet janë: gjenerator rryme, rezervuar për ujë, reflektorë, termometra,  lap-top, mjete dezinfektuese dhe të tjera.”,- theksoi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Qëllimi ynë është që të sigurojmë kushte shtesë në përballjen me situatën me Kovid-19, thanë përfaqësuesit e Drejtorisë për Mbrojte dhe Shpëtim dhe nga Kryqi i Kuq.
“Pandemia sjell momente komplekse me të cilat çdo ditë ballafaqohemi. Pajisjet që pranoi Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim do të shfrytëzohen për ekipet që punojnë në orët e natës, siç ishte rasti në Dibër dhe Zhupë.”,- u shpreh Adnan Xhaferovski nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.
“Për Kryqin e Kuq ndihma humanitare kontribuon për përmirësimin e performancave të njësive në realizimin e aktiviteteve në terren në përgjigje të operacioneve ndaj Kovid-19.”,- deklaroi sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq, Sait Saiti.
Saiti tha se vullnetarët e Kryqit të Kuq që nga fillimi i pandemisë  kanë ndihmuar me ushqim, barna, mjete dezinfektuese dhe higjienike vendet ku virusi Covid-19 ka goditur më tepër.
Marketing