SHBA: Fillim premtues i bisedimeve për një marrëveshje armëpushimi në Rripin e Gazës

Shtëpia e Bardhë tha të enjten se bisedimet e fundit për një armëpushim në Rripin e Gazës, që u mbajtën në Doha të Katarit, me zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara kanë nisur me një “fillim premtues”, por se mbyllja e një marrëveshjeje menjëherë dukej e pamundur.

Marketing

“Sot ishte një fillim premtues”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby. “Ka ende shumë punë për të bërë. Duke pasur parasysh natyrën komplekse të marrëveshjes, ne nuk parashikojmë të dalim nga këto bisedime sot me një marrëveshje”, shtoi ai.

Bisedimet pritet të vazhdojnë deri të premten. Drejtori i CIA-s, William Burns, po merr pjesë në këto bisedime.

Negociatorët nga Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari u takuan me një delegacion nga Izraeli. Hamasi tha të mërkurën se nuk do të marrë pjesë në bisedime, por përfaqësuesit e tij mund të takohen më vonë me ndërmjetësit, njoftoi agjencia e lajmeve Reuters.

Zyrtarët shëndetësorë palestinezë në Rripin e Gazës thonë se mbi 40,000 njerëz janë vrarë në operacionet ushtarake të Izraelit, që filluan pas vrasjes nga Hamasi të 1,200 njerëzve dhe rrëmbimit të 250 të tjerëve në një sulm më 7 tetor të vitit të kaluar në Izrael. Militantët e Hamasit ende po mbajnë 100 pengje.
Zyrtarët palestinezë thonë se viktimat e luftës janë kryesisht gra dhe fëmijë, ndërsa Izraeli thotë se shumica e tyre janë militantë të Hamasit.

“Pengesat e mbetura mund të kapërcehen dhe ne duhet ta mbyllim këtë proces”, tha zoti Kirby. “Ne duhet të shohim lirimin e pengjeve, lehtësimin e gjendjes për civilët palestinezë në Gazë, siguri për Izraelin dhe ulje të tensioneve në rajon. Këto gjëra duhet të realizohen sa më shpejt që të jetë e mundur.”