SHBA-ja dhe BE-ja “shtrëngojnë lakun” rreth Kosovës dhe Serbisë

Këmbëngulja aktuale e bashkësisë ndërkombëtare që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, është më e madhja prej se palët kanë nisur bisedimet për këtë qëllim në vitin 2011, thotë njohësi i çështjeve politike në Kosovë, Agon Maliqi.

Marketing

Me këtë vlerësim pajtohet edhe eksperti i politikës rajonale nga Serbia, Aleksandar Popov, i cili thotë se Prishtina dhe Beogradi “kanë luajtur shumë për t’iu shmangur obligimeve që i kanë marrë”.

Dy vendet janë pajtuar në parim për tekstin e një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, por, tani, do të duhej të pasonte hartimi i udhërrëfyesit për zbatimin e tij. Kjo është edhe arsyeja e një takimi të paralajmëruar nga BE-ja, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Por, ditëve të fundit, në opinion dolën deklarata kontradiktore të palëve.

Kurti tha se është i gatshëm për ta nënshkruar propozimin e evropian, ndërsa Vuçiç tha se nuk do ta nënshkruajë “kapitullimin e Serbisë”.

Deklaratat nënkuptojnë ndryshim qëndrimesh, marrë parasysh se Vuçiç ka thënë më herët se është i gatshëm të punojë për zbatimin e këtij plani, ndërsa Kurti e ka konsideruar atë si “bazë të mirë për vazhdimin e dialogut”.

Propozimi i BE-së, mes tjerash, kërkon nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut dhe të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se nuk pret ndonjë “ceremoni të nënshkrimit” të propozimit për normalizimin e marrëdhënieve, më 18 mars në Ohër.

Pas vizitës në Prishtinë më 9 mars, Lajçak tha për një televizion në Kosovë se “pasi të finalizohet marrëveshja [propozimi i BE-së], do të dihet se si do të zbatohet në terren”.

A do të zbatohet propozimi evropian?

Aleksandar Popov, drejtues i Qendrës për Rajonalizëm në Novi Sad, thotë se takimi i ardhshëm mes Kurtit dhe Vuçiçit mund të jetë një “fazë përgatitore për afrimin e finalizimit të çështjes së Kosovës” dhe shpreh bindjen se BE-ja dhe SHBA-ja nuk do të lejojnë që “të pengohet ajo për të cilën është arritur pajtim”.

Sipas tij, Kosova dhe Serbia, deri më tani, kanë arritur të “shmangin” zbatimin e marrëveshjeve, për shkak se nuk ka pasur një veprim të sinkronizuar mes SHBA-së dhe BE-së.

Ai thotë se diplomatët amerikanë po e paralajmërojnë Prishtinën dhe Beogradin më hapur dhe më drejtpërdrejt se mund të përballen me pasoja nëse nuk janë bashkëpunues lidhur me propozimin evropian.

SHBA-ja dhe vende të tjera perëndimore e mbështesin propozimin e BE-së për Kosovën dhe Serbinë. I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është përfshirë madje në disa përpjekje diplomatike për përafrimin e palëve.

“Po të mos ishte kjo, pra një veprim i sinkronizuar ndërmjet SHBA-së dhe BE-së, nuk do të kishte asnjë progres në lidhje me këtë dokument të përbashkët franko-gjerman, të cilin BE-ja e ka pranuar si të vetin… dhe nuk do të ishin as këta hapat e mëtejshëm. Ja, hapi tjetër është Ohri”, thotë Popov për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se palëve u është bërë e qartë se do të vuajnë pasoja nëse nuk e pranojnë propozimin e BE-së dhe beson se kjo është një lloj garancie se ai do të zbatohet.

Kurti dhe Vuçiç kanë thënë më herët, përmes deklaratave të ndara, se diplomatët evropianë dhe amerikanë i kanë paralajmëruar se do të ketë pasoja nëse nuk e pranojnë planin e BE-së. Gjithashtu, të dy kanë thënë se është një dokument “merre ose lëre”.

Edhe Lajçak përsëriti më 9 mars se pengimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve do të ndikojë në integrimin evropian të palës që e bën një gjë të tillë.

Marrëveshjet e mëparshme në propozimin evropian

Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi duhet të çojë, po ashtu, në njohjen reciproke të dokumenteve dhe simboleve kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore.

Pothuajse për të gjitha këto çështje, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në kuadër të dialogut që e ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

Për shembull, çështja e targave dhe dokumenteve personale është rregulluar me Marrëveshjen për Lirinë e Lëvizjes. Megjithatë, ka qenë pikërisht kjo çështje ajo që ka shkaktuar tensione gjatë vitit 2022, për shkak se marrëveshja nuk është zbatuar plotësisht.

Në vitin 2011, Prishtina dhe Beogradi kanë arritur marrëveshje edhe për njohjen e ndërsjellë të diplomave universitare. Në Serbi, ajo është zbatuar deri në vitin 2014, ndërkohë që edhe në Kosovë është ndalur verifikimi i diplomave serbe.

Ka edhe një marrëveshje të veçantë për vulat doganore dhe rreth 30 të tjera, por shumë prej tyre nuk janë zbatuar në terren.

Marrëveshja në të cilën insiston Beogradi më shumë, është ajo për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Prishtina refuzon ta formojë, me arsyetimin se nuk mund të lejojë asociacione njëetnike me kompetenca ekzekutive.

A do të jetë ndryshe këtë herë?

Maliqi thotë se në rastin e propozimit të BE-së, situata ndryshon, për shkak të përfshirjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, jo vetëm në prapavijë, por edhe si “motor i gjithë procesit”.

Ai shpreh mendimin se plani i zbatimit të propozimit të BE-së, në fund, do të ofrohet si dokument i formës “pranoje ose lëre”. Nëse palët e nënshkruajnë, ai do të ketë karakter obligues, thotë Maliqi. Por, sipas tij, në rast se nuk arrihet pajtimi për nënshkrim, atëherë dokumenti i BE-së do të mbetet i pazbatueshëm, meqë është vetëm një marrëveshje verbale.

“Në këtë moment, pastaj, Kosova dhe Serbia detyrohen të gjykojnë se sa janë të gatshme të përballen me pasojat. Çështja është se Vuçiç është në afatet e fundit të tij, të lojës gjeopolitike dhe të perceptimit që e ka krijuar në Perëndim – veçanërisht në SHBA – se është i gatshëm të shkojë drejt marrëveshjes me Kosovën. Pas një dekade të dialogut, unë mendoj se hapësira e tij manovruese në SHBA, është afër skadimit”, thotë Maliqi për Radion Evropa e Lirë.

Popov thotë se të dy liderët kanë bërë përpjekje ta shmangin përgjegjësinë, duke shpresuar që “ai tjetri nuk do ta pranojë propozimin”.

“Vuçiç e pranoi [propozimin] dhe e vuri atë [Kurtin] në një pozitë të vështirë. Nën presionin e Perëndimit, Kurtit iu desh ta pranonte. Ndërkohë, Vuçiç u gjend nën presion të madh nga opinioni vendas, veçanërisht nga forcat e djathta”, thotë Popov.

Propozimi evropian në Serbi nuk është përkrahur nga partitë opozitare, ndërsa situata është e ngjashme në Kosovë, ku partitë më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë shprehur po ashtu rezerva.

Për Serbinë mbetet e kontestueshme pika e katërt e propozimit, e cila thotë se ajo nuk mund ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Vuçiç ka përsëritur vazhdimisht se nuk do ta pranojë kurrë Kosovën si shtet të pavarur, apo anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara.

Në Serbi nuk është pranuar mirë as pika e dytë e propozimit, e cila thotë se “të dyja palët do t’i respektojnë parimet e vendosura në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato për barazinë sovrane të të gjitha shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre”.

Çfarë thotë Neni 7?

Të dyja palët janë të përkushtuara në arritjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës.

Për Qeverinë e Kurtit, në anën tjetër, problematike është pjesa në pikën e shtatë, që i referohet “aranzhimit të veçantë për komunitetin serb” dhe zyrtarizimit të statusit të Kishës Ortodokse Serbe.

Ngjashëm ka hezitime edhe për pikën dhjetë, e cila i detyron palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e mëparshme, të arritura në kuadër të dialogut. Kjo nënkupton se Kosova do të duhej ta formonte edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Blerje kohe?!

Deklaratat e fundit kontradiktore të Kurtit dhe Vuçiçit, analisti politik, Agon Maljqi, i sheh si mjet për përdorim të brendshëm, por edhe mënyrë për ta forcuar pozicionin e tyre në negociata, apo për të fituar kohë.

Sipas tij, Vuçiç e përdor çështjen e anëtarësimit në OKB “si një lloj gogoli të sajuar”, sepse ky anëtarësim është vështirë i arritshëm për shkak të vetos që mund ta përdorë Rusia – aleate e Serbisë.

“Fakti që ai e ka zgjedhur çështjen e Kombeve të Bashkuara si vijë të kuqe, si dhe njohjen, tregon mbase më shumë gatishmëri ose hapje për të nënshkruar marrëveshjen, për shkak se këto dy çështje, ashtu-kështu, nuk janë në tavolinë… Më shumë e shoh si strategji, përgatitje e terrenit, mbase për t’u pajtuar”, thotë Maliqi.

Në anën tjetër, Kurti, thotë ai, po përpiqet që Asociacionin e komunave me shumicë serbe ta themelojë me një emër tjetër. Kjo përpjekje, sipas tij, ka të bëjë më shumë me një retorikë semantike, për t’ia komunikuar opinionit më pas rezultatin përfundimtar si fitore.

Pas trysnisë së komunitetit ndërkombëtar, Kurti ka paraqitur një sërë kushtesh, me të cilat do të mund të formohej – mes tjerash: të mos jetë njëetnik, ta ndryshojë emrin dhe të mos ketë pushtet ekzekutiv./REL