SHBA-ja i bën thirrje Turqisë të ndalë menjëherë ofensivën në Siri

Nënpresidenti i SHBA-së, Mike Pence, tha se presidenti Donald Trump bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Siri gjatë një telefonate me presidentin turk, Reccep Tayyip Erdogan.

Marketing

Ushtria turke po zhvillon një ofensivë në veri të Sirisë kundër luftëtarëve kurdë, të cilët kanë qenë aleatë të SHBA-së në luftën kundër militantëve të grupit ekstremist të ashtuquajtur Shteti Islamik..

Pence tha se presidenti Trump kishte qenë i ashpër me Erdoganin gjatë bisedës.

Nënpresidenti amerikan njoftoi se së shpejti do të udhëtojë në rajon në përpjekje për të ndërmjetësuar krizën, që ka shkaktuar ikjen e më shumë se 160.000 civilë nga shtëpitë e tyre.

“Shtetet e Bashkuara thjesht nuk do të tolerojnë më tej pushtimin e Turqisë në Siri. Ne po i bëjmë thirrje Turqisë, t’i japë fund dhunës dhe të ulet në tryezën e bisedimeve”, u tha Pence gazetarëve, raporton Reuters, transmeton rel.

Njoftimi për udhëtimin e nënpresidentit Pence erdhi disa orë pasi presidenti Trump tha se ai së shpejti do të lëshojë një urdhër ekzekutiv që autorizon sanksione ndaj zyrtarëve të Turqisë.

“Unë jam plotësisht i përgatitur të shkatërroj me shpejtësi ekonominë e Turqisë, nëse udhëheqësit turq vazhdojnë në këtë rrugë të rrezikshme dhe shkatërruese”,tha Trump.

Ofensiva turke filloi pasi forcat amerikane u tërhoqën nga rajoni.

Më herët gjatë ditës, forcat e qeverisë siriane filluan të vendosen në pozicionet në veri të vendit, pasi Damasku ra dakord të ndihmonte militantët kurdë përballë sulmit turk.