SHBA-ja reagon ashpër: T’i jepet fund të gjitha kërcënimeve të dhunës dhe frikësimit – barrikadat të largohen menjëherë në veri

Shtetet e Bashkura të Amerikës kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë për situatën aktuale në veri të Kosovës.

Marketing

Në një deklaratë të përbashkët, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë dhe Beograd, kanë kërkuar që menjëherë të largohen barrikadat në veri.

“Ata që ngritën postblloqe të paligjshme duhet t’i largojnë ato menjëherë. Ne presim që t’i jepet fund të gjitha kërcënimeve të dhunës dhe frikësimit”.

Sipas tyre, arrestimi i qytetarit serb po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve si dhe kërcënime dhe frikësime ndaj autoriteteve kosovare dhe popullatës lokale.

SHBA- ja ka dënuar fuqishëm dhe e ka konsideruar si të papranueshme të gjitha sulmet ndaj agjencive të sigurisë kosovare dhe ndërkombëtare.

“Ne e kuptojmë se autoritetet kosovare kanë arrestuar një individ të dyshuar për përfshirje në një sulm të dhunshëm ndaj autoriteteve kosovare të zbatimit të ligjit dhe komisionit zgjedhor. Ky arrestim po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve si dhe kërcënime dhe frikësime ndaj autoriteteve kosovare dhe popullatës lokale”, thuhet në reagim.

SHBA-ja ka bërë thirrje të gjithëve që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të marrin masa të menjëhershme për të arritur një de-përshkallëzimin e situatës dhe të përmbahen nga aktet provokuese.

“Palët të punojnë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet shqetësuese”, thuhet tutje.