Përfaqësuesja e Përhershme e SHBA-së në Kombet e Bashkuara (OKB), Linda Thomas Greenfield, hodhi poshtë kritikat se vendi i saj ka qëndruar i heshtur përballë sulmeve të Izraelit ndaj civilëve palestinezë, raporton Anadolu Agency (AA).
“Ne nuk qëndruam të heshtur. Madje nuk besoj se ka ndonjë vend tjetër që përpiqet më shumë se ne dhe punon me nxitim për paqe sikurse ne”, tha Greenfield në takimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që u mblodh për të diskutuar krizën midis Izraelit dhe Palestinës.
Greenfield tha se SHBA-ja ka zhvilluar mbi 60 takime diplomatike të nivelit të lartë dhe se presidenti Joe Biden ka realizuar të paktën pesë telefonata me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Ajo po ashtu tha se presin që tensionet të ulen ndjeshëm në orët dhe ditët e ardhshme.
Greenfield deklaroi se Washington-i u bën thirrje palëve të respektojnë ligjin dhe të mbrojnë civilët, duke shtuar se do të vazhdojnë të dënojnë sulmet me raketa të Hamasit dhe “grupeve të tjera terroriste”.
Duke theksuar se fokusi duhet të jetë në hedhjen e hapave konkretë për paqen, Greenfield tha se “Izraelitët dhe palestinezët meritojnë të jetojnë në siguri, ata duhet të jenë në gjendje të gëzojnë liri të barabartë, prosperitet dhe demokraci”.
Deri më tani, të paktën 230 palestinezë janë vrarë, duke përfshirë 65 fëmijë dhe 39 gra, dhe mbi 1.700 të tjerë janë plagosur, në sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga 10 maji, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë me bazë në Gaza.
Dymbëdhjetë njerëz janë vrarë në Izrael për shkak të gjuajtjes me raketa palestineze nga Gaza.