SHBA: Kontrolli i Senatit ende i papërcaktuar

Zyrtarët zgjedhorë në Arizona dhe Nevada po vazhdojnë të premten të numërojnë qindra-mijëra fletë votimi që mund të përcaktojnë kontrollin e Senatit në Shtetet e Bashkuara, një proces që sipas tyre mund të zgjasë për ditë të tëra.

Marketing

Nëse as demokratët as republikanët nuk i fitojnë të dyja këto shtete, ndarja e barabartë do ta transformonte balotazhin e 6 dhjetorit në Xhorxhia në një betejë për Senatin, dhoma e Kongresit që voton për kandidatët e gjyqësorit të Presidentit Joe Biden.

Në luftën për Dhomën e Përfaqësuesve, republikanët po i afrohen marrjes së kontrollit nga demokratët e Bidenit. Kontrolli i Dhomës së Përfaqësuesve do t’u jepte republikanëve të drejtën e vetos mbi programin legjislativ të zotit Biden, si edhe mundësinë që të nisin hetime që mund të jenë të dëmshme për administratën e tij.

Republikanët kishin siguruar të paktën 211 nga 218 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve që u nevojiten për shumicën të enjten vonë, ndërsa demokratët kishin fituar 197. Kjo lë 27 gara ende të papërcaktuara, përfshirë disa gara të ngushta.

Udhëheqësi i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, ka njoftuar se do të kandidojë për postin e kryetarit nëse republikanët marrin shumicën, një rezultat që ai e ka përshkruar si të pashmangshëm.

Demokratët frenuan një “valë të kuqe” republikane që ishte parashikuar para zgjedhjeve. Republikanët kishin kritikuar zotin Biden për rritjen e inflacionit dhe rritjen e nivelit të krimit.

Presidenti demokrat i karakterizoi zgjedhjet si një luftë për të shpëtuar demokracinë pasi kandidatët republikanë mbështetën pretendimin e rremë të ish-presidentit Donal Trump se zgjedhjet e vitit 2020, të cilat zoti Biden i fitoi, ishin të manipuluara. Demokratët i etiketuan republikanët si ekstremistë, duke përmendur mes të tjerash si argument vendimin e Gjykatës së Lartë për të eliminuar të drejtën mbarëkombëtare për abortin.

Disa nga kandidatët e mbështetur nga zotit Trump humbën gara të rëndësishme të martën, duke bërë që disa republikanë të fajësojnë stilin e tij përçarës për rezultatet zhgënjyese të partisë.