SHBA kundër armëpushimit të plotë në Gazë, mbështet pauzat humanitare

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken po vazhdon vizitën në Lindjen e Mesme, duke u takuar sot në Jordani me ministrat e jashtëm të vendeve arabe që po shtojnë presionin për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit. Sekretari Blinken tha se SHBA nuk mbështet një armëpushim të plotë pasi kjo do ndihmonte vetëm Hamasin. Megjithatë ai pranoi se status-quoja në Gazë nuk mund të vazhdoi dhe tha se civilët duhet të mbrohen. Gjatë një konferencë të përbashkët për shtyp, ministri i jashtëm jordanez, Ayman Safadi megjithëse e akuzoi Izraelin për kryerjen e krimeve të luftës, kundërshtoi idenë se ajo që po ndodhë në Lindjen e Mesme është një luftë fetare.

Marketing

Sekretari amerikan i Shtetit kundërshtoi kërkesën e vendeve arabe për një armëpushim të plotë mes Izraelit dhe Hamasit duke përsëritur qëndrimin se kjo do të ndihmonte vetëm grupin militant palestinez që Uashingtoni e konsideron organizatë terroriste.

Zoti Blinken u përball me presionin e homologëve t tij arabë me të cilët u takua në Jordani ndërsa vazhdon vizitën e tij të dytë në Lindjen e Mesme që kur Hamasi kreu sulmin e pashembullt më 7 tetor duke vrarë mbi 1400 izraelitë.

“Ne kemi diskutuar për nevojën e qartë për të mbrojtur civilët palestinezë. SHBA beson se këto përpjekje mund të lehtësohen përmes pauzave humanitare, por jo armëpushimit. Ne besojmë se pauzat mund të jenë një mekanizëm me rëndësi për të mbrojtur civilët dhe për të sjellë ndihma, për të larguar të huajt nga Gaza ndërsa Izraeli vazhdon të ketë mundësinë që të mposhtë Hamasin. SHBA përkrah të drejtën e Izraelit që të mbrohet nga Hamasi, organizata terroriste që e sulmoi atë bratalisht. Kjo është e njëjta e drejtë që e kanë të gjitha vendet tona e kanë, por ka rëndësi edhe mënyra se si Izraeli e kryen këtë fushatë”, tha zoti Blinken.

Sekretari amerikan i Shtetit megjithatë ra dakord me me vendet arabe se status-kuoja për çështjen e ndjeshme palestineze nuk mund të vazhdojë.

Vendet arabe aleate të Uashingtonit po e vazhdojnë presionin për të siguruar një armëpushim të menjëhershëm në Gazë, ndërsa ministri i jashtëm i Jordanisë, Ayman Safadi e akuzoi Izraelin për krime lufte duke thënë se ky vend ka vrarë më shumë fëmijë në këtë luftë se sa të gjitha konfliktet globale prej vitit 2019.

Zoti Safadi megjithatë e pranoi se “rajoni po zhytet në një det urrejtjeje e cila po manifestohet në vepra dhe shprehje të mjerueshme të islamofobisë dhe antisemitizmit”, duke e sqaruar se vlerësimet se kjo është një luftë mes myslimanëve dhe hebrenjve janë të gabuara.

“Kjo nuk është një luftë fetare. Kjo nuk është një luftë mes muslimanëve dhe hebrenjve. Kjo përkufizohet në kontekstin e saj dhe të gjitha vlerat tona, myslimane, të krishtera apo hebreje diktojnë që ne duhet të punojmë për paqen dhe ta ndalojmë këtë çmenduri dhe të mos e lejojmë këtë dehumanizim që shohim”, tha zoti Safadi.

Shtetet e Bashkuara janë përpjekur të bindin Izraelin të pranojë pauza të përkohshme humanitare, një ide që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e refuzoi, pasi u takua me zotin Blinken të premten në Izrael pasi kjo nuk përfshinte lirimin e pengjeve izraelite që po mbahen nga Hamasi.

Zyrtarët shëndetësorë në Gazën e drejtuar nga Hamasi thonë se më shumë se 9,250 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite që atëherë. Ushtria izraelite e ka vendosur Gazën nën rrethim, e ka goditur nga ajri dhe ka nisur një sulm tokësor, duke shkaktuar alarm global për kushtet humanitare në enklavë. Ushqimi është i pakët dhe shërbimet mjekësore po paralizohen.

Izraeli fillimisht e kishte refuzuar edhe lejimin e hyrjes së ndihmave në Gazë, por më pas ishte dorëzuar presionit dhe tani në enklavëpn që kntrollohet nga Hamasi hyjnë çdo ditë deri në 100 kamionë me ndihma.

Shtetet arabe janë të shqetësuara nga rreziku i përhapjes së konfliktit në rajon. Hezbollahu i Libanit dhe milicitë shiite irakiane të mbështetura nga Irani kanë nisur sulme ndaj Izraelit që nga 7 tetori, ndërsa milicitë shiite irakiane të mbështetura nga Teherani kanë qëlluar edhe mbi forcat amerikane në Irak dhe Siri.

Kryeministri i përkohshëm i Libanit Najib Mikati theksoi nevojën urgjente për një armëpushim në Gaza gjatë një takimi me zotin Blinken në Jordani të shtunën, tha zyra e zotit Mikati.

Ai tha gjithashtu se “agresioni izraelit” në Libanin jugor duhet të ndalet.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller tha se Sekretari Blinken kishte “ndarë shqetësimin e tij të thellë për shkëmbimet e zjarrit përgjatë kufirit jugor të Libanit me Izraelin dhe theksoi se është e rëndësishme që konflikti Izrael-Hamas të mos përhapet më tej”.