SHBA mbërthehet nga acari polar, shënohen 29 viktima

Vala e acarit polar që ka përfshirë gjithë territorin e Shteteve të Bashkuara duket sikur e ka futur vendin në epokën e akullanajve. Temperaturat arrijnë deri në minus 30 gradë Celsius, teksa numri i viktimave nga i ftohti arktik që ka sjellë me vete edhe stuhi të dendura dërbore ka arritur në 29.

Marketing

Shumica e viktimave janë shënuar nga hipotermia, por edhe nga aksidente të shumta rrugore, të shkaktuara kryesisht nga rrëshqitshmëria e lartë nëpër rrugë. Vala e acarit ka zbritur deri në Florida e Teksas, shtete federale që shquhen për klimën e butë dhe të ngrohtë në pjesën më të madhe të vitit.

Dhjetëra-milionë njerëz po vuajnë nga kushtet e të ftohtit ekstrem që sipas meteorologëve pritet të zgjasë deri javën e ardhshme. Qindra-mijëra shtëpi e ndërtesa janë pa energji elektrike në gjithë vendin për shkak të shkëputjes së linjave të transmetimit, ndërsa mbi 10 mijë fluturime janë anuluar nga e marta.