SHBA: Rusia po përshkallëzon konfliktin me praninë e trupave koreano-veriore

Shtetet e Bashkuara thanë të hënën se është Rusia ajo që po përshkallëzon konfliktin në Ukrainë duke angazhuar trupa të Koresë së Veriut, pasi Kremlini paralajmëroi se Uashingtoni do të thellonte përfshirjen në luftë duke lejuar forcat e Kievit të godasin në thellësi të Rusisë me armë amerikane.

Marketing

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller nuk pranoi të konfirmonte në një konferencë shtypi se administrata në largim e presidentit Joe Biden ka vendosur të lejojë sulme të tilla, por përsëriti se SHBA “do t’i përshtasë gjithmonë aftësitë që i ofron Ukrainës në përputhje me përcaktimin që ajo i bën situatës”.

Agjencia Reuters njoftoi të dielën se administrata e zotit Biden ka vendosur të lejojë Ukrainën të kryejë sulmet me rreze të gjatë veprimi dhe zyrtarët amerikanë që folën në kushte anonimiteti, thanë se kjo ishte një përgjigje ndaj pranisë së trupave të Koresë së Veriut në konflikt.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha të hënën se administrata në ikje po i hidhte benzinë zjarrit dhe po përpiqej të përshkallëzonte konfliktin në Ukrainë.

“Ka qenë Rusia ajo që e ka përshkallëzuar konfliktin herë pas here,” tha zoti Miller, duke përmendur 11,000 trupat e Koresë së Veriut që SHBA thotë se janë vendosur dhe janë përballur me forcat ukrainase në rajonin Kursk të Rusisë.

“Ky është një përshkallëzim i madh nga Rusia që sjell një ushtri aziatike në një konflikt brenda Evropës,” tha zoti Miller, duke shtuar se përgjigja e SHBA-së do të jetë e fortë.

“Ne do të vazhdojmë të bëjmë atë që është e përshtatshme për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për veprimet e saj, përfshirë veprimet e saj përshkallëzuese, dhe për të mbajtur përgjegjëse Korenë e Veriut për veprimet e saj shkallëzuese”./VOA

Marketing