Shefi i NATO-s javën e ardhshme do të vizitojë Turqinë dhe Greqinë

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, javën e ardhshme do të qëndrojë për vizitë në Turqi dhe Greqi për bisedime me zyrtarë të lartë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Marketing

Siç njoftoi aleanca ushtarake, të hënën, më 5 tetor, Stoltenberg do të udhëtojë në Ankara, ndërsa të martën, më 6 tetor, do të udhëtojë në Athinë.

Në Ankara Stoltenberg do të takojë ministrin e Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë.

Në Athinë ai do të takohet me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis, ministrin e Punëve të Jashtme, Nikos Dendias dhe ministrin e Mbrojtjes, Nikos Panagiotopulos.

Vizita e shefit të NATO-s vjen pasi sot në takimet në selinë e NATO-s në Bruksel Turqia dhe Greqia arritën “mirëkuptim të përbashkët mbi parimet e përgjithshme” për Mesdheun Lindor.

Duke filluar nga 10 shtatori delegacionet ushtarake turke dhe greke zhvilluan disa bisedime teknike të drejtuara nga NATO. Bisedimet u planifikuan pas një telefonate midis presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe Stoltenberg në fillim të shtatorit.

Ministria turke e Mbrojtjes njoftoi se raundi i gjashtë i bisedimeve u zhvillua të martën.