Shefi i OKB-së: Akoma nuk ka bazë të përbashkët për çuar përpara bisedimet mbi Qipron

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka deklaruar se “akoma nuk ka asnjë bazë të përbashkët” për të vazhduar negociatat zyrtare për një zgjidhje për problemin e gjatë mbi ishullin e Qipros, raporton Anadolu Agency (AA).

Guterres foli në një konferencë për media në Gjenevë pas bisedimeve jozyrtare treditore në kërkim për të çuar përpara bisedimet për zgjidhjen e çështjes së Qipros. Ai tha se do të thërras një raund tjetër bisedimesh në formatin ‘5+1’ për të çuar përpara procesin.

Marketing

“Ne ishim në gjendje të pajtohemi që unë në të ardhmen e afërt të thërras një takim tjetër ‘5+1’, përsëri me synimin për të hapëruar në drejtim të arritjes së pikave të përbashkëta për të mundësuar fillimin e negociatave zyrtare”, tha Guterres.

Guterres shtoi se janë të vendosur të bëjnë gjithçka të mundshme për ta çuar përpara këtë dialog.

Shefi i OKB-së po ashtu theksoi se qëndrimi i shprehur i Qipros Turke është se zgjidhja duhet të bazohet në dy shtete.

Ai tha se qëndrimi i shprehur i djeshëm nga presidenti i Qipros Turke, Ersin Tatar, ishte se “gjatë viteve përpjekjet e shumta të bëra për të zgjidhur çështjen e Qipros kanë dështuar, përfshirë përpjekjen e fundit të bërë në Crans Montana” në vitin 2017.

“Ata besojnë se përpjekjet për të negociuar federatën bi-zonale ose bi-komunale janë shteruar. Sipas tyre, zgjidhja duhet të bazohet në bashkëpunimin e dy shteteve me njëri-tjetrin. Qëndrimi i shprehur dje nga delegacioni i Qipros Greke ishte se negociatat duhet të rinisin nga aty ku u ndalën në Crans Montana”, u shpreh Guterres.

Sipas administratës së Qipros Greke, tha Guterres, negociatat “duhet të synojnë të arrijnë një zgjidhje të bazuar në federatë bi-zonale, bi-komunale me barazi politike mbi bazën e rezolutave përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

Bisedimet jozyrtare në formatin ‘5+1’ mbi Qipron filluan të martën në “Palais des Nations” në Gjenevë, selinë evropiane të OKB-së, respektivisht nën udhëheqjen e OKB-së me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Qiproja Turke, Qiproja Greke dhe tre vendet garantuese, Turqia, Greqia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Në këto bisedime jozyrtare treditore, siç njoftoi OKB në paralajmërimin për mbajtjen e takimit, shefi i OKB-së synonte të arrijë një “gjuhë të përbashkët” për të rifilluar negociatat zyrtare për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme të mosmarrëveshjes së gjatë me dekada.

Ishulli i Qipros ka qenë në mosmarrëveshje midis qipriotëve grek dhe atyre turq, pavarësisht disa përpjekjeve diplomatike nga OKB-ja për të arritur një zgjidhje gjithëpërfshirëse.

Ishulli është i ndarë që nga viti 1964, kur sulmet etnike detyruan qipriotët turq të tërhiqen nga enklava për shkak të sigurisë së tyre. Në vitin 1974, një grusht shtet që synonte aneksimin e Qipros nga Greqia çoi në ndërhyrjen ushtarake të Turqisë si një fuqi garantuese. TRNC-ja u themelua në vitin 1983.

Dekadat nga ajo kohë kanë parë disa përpjekje për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të Qipros, por të gjitha përfunduan pa sukses. E fundit e zhvilluar në vitin 2017 në Zvicër me pjesëmarrjen e vendeve garantuese, respektivisht Turqinë, Greqinë dhe Mbretërinë e Bashkuar, përfundoi pa ndonjë përparim.

Administrata e Qipros Greke, e mbështetur nga Greqia, në vitin 2004 u bë anëtare e Bashkimit Evropian (BE), megjithëse shumica e qipriotëve grek mohuan një plan të zgjidhjes së OKB-së në një referendum të mbajtur në po të njëjtin vit që parashikonte një Qipro të ribashkuar në BE.



. .