Në një intervistë për gazetën “NZZ am Sonntag”, Eva Wildi-Cortés, drejtore e re e policisë federale të Zvicrës, paralajmëron mbi rreziqet që i kanosen sigurisë në Zvicër.
Në këtë kontekst ajo përmend grupet kriminale nga Shqipëria dhe Kosova të cilat në Zvicër janë aktive në tregun e drogës dhe në shpëlarjen e parave, përcjell A2.
Sipas saj kërcënimi është rritur ndjeshëm dhe shërbimi sekret zviceran e ka ngritur nivelin e rrezikut nga shkalla e tretë në të pestën nga gjithsej gjashtë nivele.
“Tregtia me njerëz, armë dhe lëndë narkotike përbën një rrezik për demokracinë tonë, shtetin ligjor dhe sigurinë e popullatës. Nëse nuk duam të përjetojmë të shtëna dhe përleshje në rrugë si në Holandë, Belgjikë apo Suedi, Zvicra duhet të veprojë tani”, tha Eva Wildi-Cortés.
Kur u pyet mbi grupet kriminale që veprojnë në Zvicër, shefja e policisë federale i përmendi organizatën mafioze italiane ’Ndrangheta, e cila e përdor Zvicrën për pastrim parash, organizatat kriminale nga Shqipëria “janë të përfshira si në prodhimin ashtu edhe në shpërndarjen e drogës”, mafia e dominuar nga marokenët në Holandë shpërthen bankomatë, organizata nigeriane si Black Axe fiton miliarda në tërë botën nëpërmjet mashtrimit dhe shfrytëzimit të grave të reja.
“Zvicra është shumë tërheqëse për këto grupe”, tha Eva Wildi-Cortés. Zyrtarja e lartë zvicerane tregoi se si bashkëpunojnë grupet kriminale.
Për shembull: sjelljen e kokainës në Europë e rregullon mafia shqiptare, importi financohet nga mafia italiane, kur malli mbërrin në portin e Rotterdamit, kyçet në biznes mafia marokene, e cila kujdeset për transport dhe shpërndarje, mandej grupet lokale e shesin drogën në Bern e Zürich.
Eva Wildi-Cortés bëri të ditur se vitin që shkoi në shënjstër të autoriteteve zvicerane ishte një agjenci udhëtimesh e specializuar për Ballkanin. Ajo vepronte në qendër të qytetit të Luzernit.
Hetuesit e vëzhguan këtë agjenci udhëtimesh një vit me radhë.
Dhe regjistruan 750 vizita nga persona të dyshuar për tregti me drogë dhe korrierë të parave. Ky rrjet dirigjohej nga mafia kosovare, tha Eva Wildi-Cortés.
Sipas saj, shumë sallone të berberit, korrierë që bartin pica apo agjenci udhëtimesh në të vërtetë janë sallone për shpëlarje parash në Zvicër. Këtu duhet të fillojë beteja kundër krimit të organizuar, tha Eva Wildi-Cortés.
Kjo ekonomiste dhe politologe 49-vjeçare e ka marrë detyrën e shefes së policisë federale të Zvicrës më datën 1 shkurt 2025. Ajo ka një përvojë prej më shumë se dy dekadash në fushën e sigurisë.