Maqedonia javën e ardhshme do të marrë ftesën për anëtarësim në NATO, ndërsa për disa muaj do të fillojë procesi i ratifikimit të protokolleve, deklaroi sot zëvendëskryeministrja dhe ministrja e mbrojtjes Radmila Shekerinska e cila informoi se sot në seancë qeveritare është miratuar Rishikimi strategjik i mbrojtjes.
Ministrja Shekerinska theksoi se vendit në një ceremoni në Bruksel në Samitin i cili është caktuar për 11 dhe 12 korrik do t’i jepet ftesa për anëtarësim dhe se më në fund Maqedonia do të bëhet pjesë e Aleancës më të fuqishme në botë.
Shekerinska tha se Maqedonia nga viti 2004 nuk ka pasur rishikim strategjik të mbrojtës dhe siç paralajmëroi Qeveria para një vit ky dokument i rëndësishëm i mbrojtjes është sjellë.
“Arritëm që në afat prej një viti ta përfundojmë këtë dokument ambicioz i cili është kyç dhe me të cilin definohet mbrojtja dhe zhvillimi i vendit, definohet agjenda në sferën e mbrojtjes”, tha Shekerinska dhe shtoi se Maqedonia do të fitojë mbrojtje në përputhje me standardet e NATO-s e cila do të japë kontributin e saj për sigurinë e shtetit, por dhe gjithë rajonit.
Rishikimi i ri strategjik i mbrojtjes është në përputhje me sfidat e reja në nivel global dhe në përpilimin e tij janë konsultuar të gjitha institucionet relevante të cilët janë kompetente në këtë sferë, mes të cilëve dhe presidenti i shtetit. Për pjesë të caktuara nga Rishikimi strategjik i mbrojtjes, siç tha Shekerinska, vendimet ishin sjellë në mënyrë konsensuale me Kabinetin e presidentit.
Me këtë dokument, tha Shekerinska, Maqedonia do të ketë një Armatë bashkëkohore dhe fleksibile e cila do të garantojë sigurinë, që vazhdimisht do të modernizohet dhe do të forcohen aftësitë e saj operative. Është paraparë ndryshim i strukturës të ARM-së, si dhe riorganizim i Ministrisë për Mbrojtje me fokus në sigurimin e menaxhimit më të mirë.