“Shengeni Ballkanik”, Monika Kryemadhi ka 6 pyetje për Edi Ramën

Monika Kryemadhi paralajmëron se “Shengeni Ballkanik” pa praninë e Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor mund të nxisi konflikt.

Marketing

Sot kur takimi i radhës zhvillohet në Durrës, kryetarja e LSI-së thekson se mbështet çdo marrëveshje që sjell stabilitet dhe rritje ekonomike, por nga ana tjetër është e nevojshme që të bëhet edhe transparencë mbi këtë nismë.
Duke renditur edhe 6 pyetje për Qeverinë e Shqipërisë, Kryemadhi shprehet kundër çdo përpjekje për të përdorur “Shengenin Ballkanik” si formë presioni ndaj Bashkimit Evropian.

Reagimi i plotë
Mini Schengeni Ballkanik pa Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor është jo vetëm një iniciativë e nxituar, por ajo nxit konflikt dhe lë shumë dritëhije pas. Këtë e konfirmoi edhe ambasadori Grenell pak kohë më parë kur theksoi se “Ne besojmë se që kjo nismë të jetë e suksesshme, ajo duhet të përfshijë të gjithë në rajon, përfshirë qeverinë e Kosovës”.

LSI është në mbështetje të çdo marrëveshjeje dhe bashkëpunimi që sjell stabilitet dhe rritje ekonomike, por që ky të jetë një proces i besueshëm ka nevojë emergjente për transparencë. Sot të gjithë ne kërkojmë të dimë:

1.Çfarë është diskutuar mbi këtë marrëveshje?
2.Cilat janë pikat e bashkëpunimit për të cilat është rënë dakord?
3.Përse Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja kanë refuzuar të jenë pjesë?
4.Çfarë përfiton dhe çfarë humbet Shqipëria?
5.A garantohet njohja e Kosovës nëpërmjet këtij bashkëpunimi?
6.Çfarë e detyroi Kryeministrin të vraponte drejt kësaj iniciative duke mos marrë parasysh Kosovën?

Nëse Mini Schengeni po përdoret nga Edi Rama për presion ndaj BE, ai duhet ta di mirë se perspektiva evropiane e Shqipërisë është e pazëvendësueshme. Kushtet e Bundestagut janë i vetmi udhërrëfyes që kanë qytetarët shqiptarë. Çdo shfaqje dhe propagandë tjetër vetëm dëmton rrugëtimin evropian të vendit!
Top Channel