Nisma për bashkëpunim rajonal apo mini Shengeni ballkanik, që e promovuan liderët e Maqedonisë, Serbisë dhe Shqipërisë, i vlerësuar si “Shengen i vogël”, mbështetet nga OEMVP, por nga atje kërkojnë që kjo nismë të mos përdoret si zëvendësim për anëtarësimin në BE, por të shfrytëzohet për të sjellë një frymë të re të bashkëpunimit mes vendeve të rajonit. Drejtori ekzekutiv i OEMVP-së, Drilon Iseni, thotë se efektet pozitive do të jenë me përfshirjen e të gjitha shteteve në këtë proces.
“Procesi i mini Shengenit, që është duke u promovuar të jetë inkluziv, të përfshijë të gjitha shtetet dhe të mos paraqitjet si zëvendësim për aderimin e Maqedonisë në BE. Pika e dytë është që çdo marrëveshje duhet të ketë parasysh ekonominë vendore që ajo të mos dëmtohet në një farë forme. Dhe e fundit dhe më e rëndësishmja është se parimi i BE-së është që të kemi marrëdhënie të mira me të gjitha shtetet dhe ne nuk jemi në favor që të kemi marrëveshje të cilat do të vendosin në pikëpyetje marrëdhëniet ndërshtetërore me ndonjë shtet që nuk është pjesë e marrëveshjes”,- tha drejtori ekzekutiv i OEMVP-së, Drilon Iseni.
OEMVP: Të punohet edhe në çështjet infrastrukturore
Përpos lehtësimit të procedurave administrative, fokusi duhet të vendoset edhe te përmirësimi i problemeve infrastrukturore, propozon Iseni.
“Ne vlerësojmë se ky proces duhet të jetë paralel nga ana e qeverisë dhe të shihet lehtësimi i procedurave, mirëpo në të njëjtën kohë edhe të përmirësohen kushtet infrastrukturore që ekzistojnë në shtet, se kushedi sa barriera të eliminohen nëse rruga që na çon deri në atë vendkalim kufitar nuk është e mirë, atëherë efekti realisht nuk mund të jetë aq i pritshëm”,- tha drejtori ekzekutiv i OEMVP-së, Drilon Iseni.
Nga Oda Ekonomike nuk ishin të gatshëm të flasin për iniciativën në fjalë, duke na adresuar se qëndrimet e tyre lidhur me këtë iniciativë do t’i shfaq vetë kryetari i Odës.