Situata me zjarret që vijojnë të djegin prej mbrëmjes së djeshme sipërfaqe pyjore në zonën e “Ranës së Hedhun” në Shëngjin, është përkeqësuar mesditën e sotme.
Flakët të ndihmuara edhe nga era e fortë, i janë afruar restoreve dhe njësive turistike në zonë. Rreth orës 14:30 flakët kanë zbritur edhe në bregdet duke djegur çadra plazhi dhe një “beach-bar”.
Zjarrfikësit, Forcat e Armatosura por dhe banorë e punonjës të resorteve po punojnë për të izoluar flakët që kanë vendosur në rrezik serioz godinat hoteliere.
Në pamjet e siguruara nga A2 CNN, shihen pushues me çanta e valixhe në krah që largohen nga resortet turistike, ndërsa flakët avancojnë edhe për shkak të bimësisë së dendur në zonë.