Nga Skender ASANI
Brutaliteti me të cilin u ushtrua dhunë ndaj një të moshuare në Shtëpinë për të moshuar “Orenda” në Pejë, ku ajo ishte dërguar për përkujdesje, alarmoi shoqërinë. Sikur të mos ishte bërë publik ky
rast, si do të vazhdonte të ishte fati i qindra të moshuarve të tjerë
nëpër qendrat e tilla të përkujdesjes.
Infermierja e cila shihet duke goditur në mënyrë të pamëshirshme të moshuarën që ishte shtrirë në këtë qendër, ndërkohë që tri infermiere
të tjera e përkrahnin duke qeshur, u bë lajm jo vetëm në mediat tona,
por edhe në ato ndërkombëtare.Ky rast zbulon dimensionin çnjerëzor të individit që ka harruar
dashurinë dhe ngrohtësinë e nënës, por zbulon edhe sa e fjetur është
ndërgjegja njerëzore, e cila zgjohet vetëm atëherë kur ndodhin skandale të tilla. Në fakt, kujdesi ndaj të moshuarve, sidomos ndaj
prindërve, duhet të jetë alfa dhe omega e brengës sonë, por jo duke iu qasur këtij problem parcialisht.
Nëna shqiptare në kodin moral të shqiptarit brez pas brezi ka bart një
kuptim të shenjtë. Shenjtëria e nënës shqiptare kufizohet me sakrificën e saj sublime për fëmijët dhe familjen.
Në trashëgiminë gjenetike e kulturore të popullit tonë, nëna shqiptare ka ruajtur tiparet e një nëne krenare, me virtyte spartane, e cila
edhe atëherë kur djemtë i ka nisur në luftë dhe kur kanë rënë në fushë të betejës, kokën e ka mbajtur lart dhe lotin e ka shëndërruar në kroje të freskëta ku gjithë drumtarët e lodhur e kanë shuar etjen.
Portretin kolektiv të nënës shqiptare sot mund ta hasni në një bregore të fshtatit Zajaz, një monument ky artstik që përjetëson dhe lartëson
figurën e nënës shqiptare në rangun e heroinave të heshtura që kombit i dhanë gjithçka të shtrenjtë që patën. Ato i dhanë djemtë e tyre për
lirinë që gëzojmë ne sot. Të gjithë ata që kalojnë pranë këtij monumenti gjikant, ndjejnë freski në shpirt, sepse ua kujton fëmijërinë e mbushur me përkëdhelinë e ngrohtë të nënës, e cila edhe
kur e ka pasur vështirë, në fytyrë e ka ruajtur buzëqeshjen për fëmijën e saj.
Në kuadër të projekteve që pritet të realizohen shumë shpejt, ITSHKSH ka paraparë që të hapë gjashtë qendra rajonale të trashëgimisë
kulturore. Njëra prej tyre do të hapet edhe në Kërçovë dhe do të mbaj emrin simbolik “Nëna Shqiptare”. Me këtë duam t’i japim një trajtim
institucional disa vlerave të trashëguara të popullit tonë, në mesin e të cilave është edhe ruajtja e kujtimit dhe kujdesit ndaj sakrificës
sublime të nënës shqiptare nëpër shekuj.
Rasti i Pejës duhet të na zgjojë nga letargjia e reagimeve individuale, sepse gjërat e shenjta nuk guxojnë të trajtohen individualisht. Shenjtëria e nënës shqiptare meriton trajtim institucional, një punë që po e bëjmë edhe ne si Institut.