Më shumë se 600 milion njerëz sëmuren, ndërsa 420 mijë vdesin çdo vit si rezultat i ushqimit të pasigurt të ndotur me bakterie, viruse, parazitë, toksina ose kimikale, tregojnë të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Sot shënohet Dita botërore e ushqimit të sigurt e cila ishte vendosur vitin e kaluar nga ana e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Qëllimi është të ngritet vetëdija për sigurinë e ushqimit dhe të informohet opinioni për vlerën e parandalimit dhe menaxhimit me rreziqet e lidhura me të.
Ndaj kësaj iniciative globale sot u përfshi edhe Agjencia për Ushqim dhe Veterinari prej ku informojnë se edhe në kushte të pandemisë me Kovid-19, në vend realizohen të gjitha aktivitetet nga fusha e sigurisë së ushqimit dhe mbrojtjes shëndetësore të kafshëve.
“Janë përforcuar kontrollet inspektuese si një nga prioritetet për kujdes të shëndetit të qytetarëve edhe në kushte të pandemisë së shpallur, kur qytetarët dhe operatorët me ushqim funksionojnë në kushte të reja, tani për tani të panjohura për jetesë, por edhe për prodhimtari dhe tregti me ushqim”, thonë nga AUV.
Deri tani janë kryer mbi 14.700 kontrolle inspektuese, ndërsa si mospërputhje më të shpeshta janë ato të cilat kanë të bëjnë me mosmbajtjen e higjienës në objekte, mosmbajtja e regjistrave sipas HACCP planeve për kontroll të pikave kontrolluese kritike dhe moszbatimi i masave për dezinfektim, dezinsektim dhe deratizim.
“Vërtetim i funksionalitetit të sistemit të integruar për kontroll të sigurisë së ushqimit të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari është fakti se tashmë 18 muaj nuk janë evidentuar raste të helmimeve me ushqim”, potencon AUV.
Prej atje informojnë se me qëllim që të mbrohet shëndeti i qytetarëve dhe të ngritet siguria e ushqimit në një nivel më të lartë në kushte të pandemisë janë sjellur një set rekomandimesh të cilat kanë të bëjnë me transportin e mallrave në transport të brendshëm dhe ndërkombëtar, si dhe në blerjen e sigurt nëpër markete, siguria gjatë përgatitjes së ushqimit në shtëpi dhe rritja e masave të sigurisë në kapacitetet për prodhimtari, përpunim të ushqimit, tregti dhe hotelieri