Shënohet viktima e tretë nga gripi sezonal

Shënohet viktima e tretë nga gripi sezonal. Bëhet fjalë për një burrë të moshës 50 vjeçare i cili ka qenë i shtruar në Klinikën e Pulmologjisë. Derisa numri i viktimave nga gripi po shënon rritje, numri i të prekurve po tejkalon edhe pritjet e kompetentëve. Javën e fundit, Instituti i Shëndetit Publik ka regjistruar rreth 5,600 raste të reja me grip, që është për 70% më i lartë me javën paraprake. Pavarësisht rritjes drastike të numrit, autoritetet ende nuk e shohin të nevojshme ndërprerjen e përkohshme të mësimit nëpër shkolla me qëllim që gripi të mos ketë përhapje edhe më të madhe. Nga Instituti i Shëndetit Publik thonë se dikasteri i Arsimit nuk iu ka dorëzuar të dhëna se sa fëmijë mungojnë nëpër shkolla, me qëllim që të kenë një pasqyrë të saktë të gjendjes.

Marketing

Duhet në mënyrë racional t’i qasemi çështjes. Nuk mund të sillni masë nëse nuk e dini se çfarë po ndodh në terren. Është e nevojshme të mblidhen të dhëna, të dihet saktë se çfarë po ndodh, marrë parasysh edhe disa fakte tjera. Numër i madh i prindërve ndoshta nuk i lëshojnë fëmijët në shkollë për shkak se i shmangen kësaj periudhe. Sidoqoftë, na duhen të dhëna të detajuara të sakta që të mund jo vetëm Komisioni por të gjithë të ndërmarrim qëndrime, konkluzione dhe në bazë të kësaj të ndërmerren masa adekuate- deklaroi Gordana Kuzmanovska, Instituti i Shëndetit Publik.

Edhe pse Shkollat mbajnë evidencë të përgjithshme të mungesave të nxënësve, ministri Ademi nuk posedon të dhëna se sa fëmijë nuk janë në bankat shkollore si pasojë e gripit. Tha se pret nga autoritetet shëndetësore ndërmarrjen e hapave konkret.

Për momentin nuk kemi diçka konkrete. E ndjekim situatën dhe nëse është e nevojshme do të ketë edhe prolongim të procesit edukativ arsimor, varësisht prej konkluzioneve të cilat rrjedhin nga institucionet përkatëse kompetente- tha Arbër Ademi, Ministër I Arsimit dhe Shkencës.

Pavarësisht se Institucionet nuk vendosin të shpallin epidemi, në shumë shkolla të vendit, numër i lartë i nxënësve, posaçërisht filloristë si pasojë e gripit me javë të tëra nuk e ndjekin procesin mësimor. Pos nxënësve nëpër disa Shkolla mungojnë edhe mësimdhënësit.