Një grua 116 vjeçare në Turqi i ka mbijetuar koronavirusit, sipas djalit të saj, duke e bërë atë një nga pacientët më të vjetër në botë që e kanë mundur këtë sëmundje. Ajshe Karatay tani është transferuar në një pavion normal, tha djali i saj Ibrahim Karatay për DHA.
“Nëna ime u sëmur në moshën 116 vjeçare dhe qëndroi në njësinë e kujdesit intensiv për tre javë. Shëndeti i saj tani është shumë i mirë dhe po përmirësohet”, tha ai.
Ajshe, nga Turqia perëndimore, u trajtua në Spitalin e Qytetit Eskisehir pasi u sëmur dhe rezultoi pozitive për COVID-19 muajin e kaluar. Ibrahim tha se ajo kishte marrë vetëm një vaksinë Sinovac para se të sëmurej, duke shtuar se ndoshta ishte infektuar nga një anëtar i familjes.
“Ndoshta nëse do ta kishte marrë edhe dozën e dytë të vaksinës, do të shërohej më shpejt”, tha ai.