SHGM: I urojmë shërim të shpejtë kolegut Mihajlloski dhe kërkojmë kushte të sigurta pune për gazetarët

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë pranoi me shqetësim informacionin se kryeredaktori i televizionit “Kanal 5”, Goce Mihajlloski, është infektuar me Kovid-19. I urojmë kolegut Mihajlloski shërim të shpejtë, të luftojë kundër sëmundjes dhe të kthehet në punë sa më shpejt.

Marketing

Të nxitur nga disa postime të papërgjegjshme të publikuara para së gjithash në rrjetet sociale, SHGM apelon të mos stigmatizohen gazetarët dhe punëtorët mediatik që janë të infektuar ose që dyshohet se janë bartës të koronavirusit. Ju kujtojmë se gjuha e urrejtjes dhe thirrjet për dhunë janë vepra të ndëshkueshme pavarësisht nëse ato janë të shkruara në mediat tradicionale apo në rrjetet sociale.

Ritheksojmë që shumë gazetarë dhe punonjës mediatik, për shkak të natyrës së punës së tyre, janë më të ekspozuar ndaj kontaktit njerëzor dhe kjo mundëson që ato më lehtë të infektohen me koronavirusin. Prandaj, është e rëndësishme për sigurinë e tyre personale, sigurinë e njerëzve me të cilët janë në kontakt, që gazetarët dhe punonjësit mediatik të pajisen me pajisje pune dhe mjete nga pronarët dhe menaxherët e mediave përmes të cilave rreziku i infeksionit do të zvogëlohet.

Në kohë kur gazetaria cilësore mund të shpëtojë jeta, është jashtëzakonisht e rëndësishme të kemi informata të sakta dhe në kohë. Në mënyrë që kjo të jetë e mundur, punëtorët mediatik duhet të mbrohen maksimalisht në redaksitë e tyre, por edhe kur raportojnë nga terreni. Ju kujtojmë për publikimin “Udhëzime për raportim të sigurt dhe profesional mbi koronavirusin (COVID-19)” i përgatitur nga SHGM dhe KEMM, ku janë përshkruar standardet për raportim të sigurt dhe profesional në kushte të pandemisë.