367 mijë shqiptarë kanë aplikuar për Lotarinë Amerikane gjatë vitit të kaluar. Sipas të dhënave të Departamentit Amerikan të shtetit, kjo shifër është rritur ndjeshëm, nga 246 mijë që ishin në vitin 2016.
Shqipëria është edhe një nga vendet me numrin më të lartë të aplikantëve, duke marrë parasysh edhe numrin e popullsisë së vendit. Por, ka edhe nga ata të cilët preferojnë të qëndrojnë dhe të punojnë në Shqipëri.
Sipas të dhënave të INSTAT, mesatarisht 40 mijë shqiptarë janë larguar çdo vit jashtë vendit. Ndërkohë, një sondazh i pak kohëve më parë nga GALLUP tregon se 31% e shqiptarëve duan të largohen.
Emigracioni nuk ndalet, 39 mijë të larguar në vitin 2018
Dëshira e lartë për të emigruar përputhet edhe me shifrat e largimeve nga vendi. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, vitin e kaluar e lanë Shqipërinë 39 mijë individë. Përgjatë viteve të fundit shihet një nivel thuajse konstant në numrin e emigrantëve.
Ajo çfarë është shqetësuese, është fakti se nuk largohen vetëm ata që kanë të ardhura të pamjaftueshme për të përballuar jetesën në vend. Gjithmonë e më shumë shihet një rritje e largimit të të ashtuquajturit “truri”, ata individë të arsimuar dhe me të ardhura të larta, si mjekët, infermierët, etj.
Për ekspertët, ky fenomen negativ mund të ndalet vetëm përmes politikave sociale dhe duke përmirësuar shërbimet bazë si arsimi dhe shëndetësia.