Të paktën 126 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm në Japoninë perëndimore.
Ky është bilanci më i rëndë i viktimave të shkaktuara nga shirat që Japonia ka parë në më shumë se tre dekada.
Shpëtuesit tani po gërmojnë nën baltë dhe rrënoja në përpjekje për të gjetur të mbijetuar, ndërsa dhjetëra të tjerë mungojnë në apel. Rreth dy milionë njerëz janë evakuuar nga rajoni pasi lumenjtë dolën nga shtretërit.
Kryeministri Shinzo Abe ka anuluar ndërkohë një udhëtim jashtë vendit për tu përballur me krizën e përmbytjeve. Më shumë se 70 mijë punonjës të emergjencave janë dislokuar në Japoninë perëndimore ndërkohë.
Edhe pse shirat e rrëmbyeshëm tani janë ndalur, zyrtarët paralajmërojnë për shira të papritur, stuhi dhe rrëshqitje të reja toke.
Paralajmërimet për përmbytje janë ende në fuqi për disa nga zonat më të goditura, përfshirë prefekturën e Okajamës. Por, mot i qëndrueshëm pritet edhe në ditët e ardhshme dhe kjo do të ndihmonte në përpjekjet e shpëtimit.