SHISH: Luftuam spiunazhin serb dhe rus në Shqipëri

Drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, konfirmoi se janë kryer veprime kundër spiunazhit serb dhe rus në Shqipëri.

Marketing

Gjatë raportimit në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, ku pjesa më e madhe e raportimit ishte me dyer të mbyllura, Hyseni tha publikisht se shërbimet inteligjente të këtyre dy shteteve kanë kryer veprime në vendin tonë.

“Kryesisht jemi fokusuar në operacione që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, antiterrorin, kundërspiunazhin, ku përfshihen kundërvënia ndaj aktiviteteve të shërbimeve të intelijgjencës ruse, serbe dhe shteteve të tjera, me qëllime armiqësore ndaj Shqipërisë”, tha Hyseni.

Që prej rreshtimit krah Ukrainës dhe Perëndimit me nisjen e luftës në Ukrainë, Rusia e ka futur Shqipërinë në listën e shteteve jomiqësore me të. Gjithashtu Rusia ka ngritur disa herë akuza se në Shqipëri dhe Kosovë trajnohen grupe me persona që më pas luftojnë në Ukrainë.

Rusia gjithashtu ka akuzuar NATO-n dhe Bashkimin Europian se Poli i ri i Teknologjisë së Informacionit dhe Sigurisë Kibernetike që do të ngrihet në Shqipëri është zgjerim i qendrave të tyre kibernetike të orientuara për sulme kundër Moskës.

Marketing