Shiten të gjitha shtëpitë 1 euroshe në Siçili, oferta nga e gjithë bota

Amerikanë, arabë, kinezë, rusë, argjentinas, francezë, britanikë, janë vetëm disa nga nacionalitetet e banorëve që shpejt do marrin në pronësi shtëpitë e komunës së Sambuca-s në Siçili, ku në muajt e shkuar, administrate nxori në shitje ankandi, me një çmim që nis me një eurosh, 16 shtëpi të braktisura në qendrën historike.

Marketing

Iniciativa pati një sukses të papritur, me mbi 100 mijë e-mail dhe telefonata nga e gjithë bota me kërkesë për informacion, pas një kronike të transmetuar në kanalin e turizmit të rrjetit televiziv Cnn.

Në pallatin Panitteri, u hapën 49 zarfa që përmbanin ofertat, përfshirë nga 1 mijë deri në 10 mijë euro, nga vende të ndryshme të botës.

Oferta më e lartë ka qenë për një pronë në rrugën “Marconi”. Një grua nga Virginia, SHBA, mbërriti në Sambuca personalisht për të parë shtëpitë që shiteshin dhe ofroi 21 mijë euro.
Tani pronarët e rinj do kenë në dispozicion një periudhë prej maksimumi 3 vitesh për ristrukturim dhe për të marrë më pas pronën për të cilën kanë paguar.

“Që kur, në vitin 2016 u zgjodhëm ‘Fshati i fshatrave’, thotë zëvendës kryetari i Sambuca-s, Giuseppe Cacioppo – jeta e komunitetit tonë ndryshoi plotësisht. Që atëherë, kemi patur një ‘bum’ të vërtetë turistik: janë shtuar hotelet dhe madje edhe tregu imobiliar ka pësuar zhvillim të paprecedentë.
Kur nxorrëm projektin “Shtëpi 1 euro” nuk e prisnim se do kishte këtë sukses. U ‘pushtuam’ nga qindra të huaj, shumë prej të cilëve u transferuan në vendin tonë. Sot po vjelim frytet e kësaj pune.”

Edhe rrjeti amerikan “Discovery Channel” ka vendosur të blejë një shtëpi dhe t’ia dhurojë aktores Lorraine Braço për ta transformuar në setin e një programi të dedikuar pikërisht për fenomenin e Sambuca-s, komuna siçiliane, e bërë tanimë e famshme në të gjithë botën./OraNews/

Marketing