Shkaktoi katastrofë ekologjike në Vardar, ndalesë për punë kompanisë “Arcelor Mital – Liberti haus”, rrezikon dënim deri 100.000 euro

Inspektorati shtetëror i ambientit jetësor i shqiptoi ndalesë Repartit të “Arcelor Mital – Liberti haus grup”, për shkak të katastrofës ekologjike në lumin Vardar.

Marketing

Brenda dy ditësh do të dihet nëse do të ketë dënime edhe ndaj udhëheqësisë së kësaj kompanie.

Katastrofa ekologjike është shkaktuar nga derdhja e acidit dhe hekurit në ujërat e lumit Vardar, afër Lisiçes së re.

Kjo shkaktoi ngordhjen masive të peshqve, prandaj nga inspektorati nuk përjashtojnë mundësinë e paraqitjes së padisë, me mundësi për dënim prej 70.000 deri në 100.000 euro.

“Katastrofa ekologjike është shkaktuar si rezultat i një shpërthimi në Repartin e Kompanisë “Arcelor Mital – Liberti haus” dhe për pasojë ka ardhur deri te derdhja e materialeve me acid dhe hekur, pa trajtim adekuat në sistemin për trajtimin e ujërave. Për momentin nuk mund të themi nëse do të ketë edhe padi penale ndaj kompanisë. I presim edhe analizat laboratorike, në përputhje me ligjin dhe varësisht nga konsultimet edhe me juristët, do të shohim nëse ka edhe përgjegjësi penale. Duhet të bëhet edhe vlerësim i dëmit. Nëse ky incident vendoset në kategorinë e tretë, kjo do të thotë se shkaktari mund të përballet edhe me dënim financiar prej 70.000 deri në 100.000 euro”,- kanë bërë të ditur nga Inspektorati.

Nga Inspektorati kanë shqiptuar ndalesë 90 ditëshe për repartin që ka shkaktuar ndotjen.

Rrethanë lehtësuese për Kompaninë “Liberti” është ajo se ka njoftuar organet kompetente se në këtë repart ka pasur një shpërthim që ka shkaktuar derdhjen e acidit dhe hekurit në ujërat e lumit Vardar.

Marketing