Paraburgimi i kryeprokurores speciale Katica Janeva, si e dyshuara e tretë e rastit “Reket”, ka hapur debat në lidhje me funksionimin e mëtutjeshëm të Prokurorisë speciale publike (PSP), më saktë për pozitën e kryeprokurores së PSP-së dhe pezullimin e rasteve që hetohen nga kjo prokurori, transmeton Portalb.mk.
Për shkak të këtij debati rreth vakuumit institucional, prokurorja Lile Stefanova mendon se PSP është në momente më të vështira që nga themelimi, prandaj kërkon nga faktorët politik në vend që me marrëveshje të sjellin Ligjin për PSP, që mos të ketë pezullim të proceseve.
Rasti “Reket” është në procedurën e dorëzimit të Raportit të hartuar nga Prokuroia themelore publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit (PTHPNKOK) deri te Këshilli i prokurorëve publik (KPP).
Ky Raport, pasi u shqyrtua nga KPP, u konstatua se është jo i plotë. Për këtë arsye, kërkohet tashmë një raport më i plotë të hënën, ose të hënën vet hartuesja e raportit Vilma Ruskoska të raporton para KPP-së.
Kryetari i KPP-së, Kole Shterjov sqaroi se vetëm atëherë kur do të ketë informata të plota, kur Raporti do të jetë i plotë, atëherë do të dërgohet në Kuvend për të vazhduar pastaj procedurat për shkarkimin e Janevës.
Shterjov rreth zëvendësimit të Janevës deklarohet se nuk mund të emërohet ushtrues detyre (u.d.) prokuror special, pa i mbaruar mandati Janevës.
Por, prokurori publik, Lubomir Joveski mendon se KPP, përveç Raportit, duhet njëkohësisht të vendosë edhe për trashëgimtaren e pozitës së Janevës në PSP. KPP duhet të reagojë dhe të emërojë ushtrues detyre, mundësisht ndonjë kolegë, sipas Joveskit, duke u bazuar në Ligjin për prokurori publike (LPP).
Gjithashtu edhe prokurorja Stefanova deklarohet se është kompetencë e KPP-së, që të gjen zgjidhje për ushtrues detyre, zëvendësim të kryeprokurores që mungon.
Shkarkimi dhe zëvendësimi i prokurores speciale Katica Janeva, mund të vendosë në pikëpyetje funksionimin e PSP-së, pasi sipas LPP-së, funksionimi i prokurorisë varet nga kryeprokurorja.
“Prokurorët publikë, sipas paragrafit 2 të këtij neni, nuk kanë të drejtë të sjellin urdhra dhe akuza, ndërsa kanë të drejtë të përfaqësojnë prokurorin publik i cili udhëheq me prokurorinë publike para gjykatës kompetente. Mandati i prokurorëve publikë sipas paragrafit 2 të këtij neni, nuk e tejkalon mandatin e prokurorit publik”.
Pra, vendimet, procedurat dhe mandati i prokurorëve në PSP, varen nga nënshkrimi i kryeprokurores Janeva.
Por, prokuroret e PSP-së, Fatime Fetai dhe Lile Stefanova vazhdojnë punën pa ndërprerje për rastet që tashmë janë në procedurë, si rasti “Perandoria” që udhëhiqet nga Stefanova.
“Përgjegjësia e mundshme individuale penale e njërit prej prokurorëve në PSP nuk guxon të jetë arsyetim për ta harruar tërë krimin që është bërë në vendin tonë gjatë periudhës së kaluar dhe ta ndërpresim luftën tonë. Ekipi i PSP-së tërësisht i është kushtuar luftës për drejtësi dhe ne vazhdojmë me punën tonë – përfaqësimi i lëndëve në sallën gjyqësore”, deklaroi Fetai.