NËNTORI I VONUAR – por jo i harruar!
Koncerti i 19 dhjetorit në Teatrin e Operës dhe Baletit në Shkup filloi me pamjet homazh që bënë kohë më parë artistët dhe drejtori i ansamblit për 45 viktimat që humbën jetën tragjikisht në Bullgari dhe intonimin e Himnit kombëtar!
Më pas me disa vargje prezantuesi i programit Avni Qahili kujtoi se jeta vazhdon edhe si kujtim për ata që nuk jetojnë por që do kujtohen ndër breza që vinë! Manifestimi u mbajt në bashkëpunim me Komunën e Çairit dhe ishte në mbështetje të Ministrisë së Kulturës si pjesë e programit vjetor artistik! Fjalë përshëndetëse pati zv. kryeministri i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut z.Artan Grubi i cili përgëzoi ansamblin dhe drejtorin Shkodran Tolaj për punën e madhe dhe të suksesshme. Programi filloi me Vallen e Rekës që ishte përplot emocion e krenari! Për herë të parë u bë hulumtim i atij rajoni të lashtë ilir që dekada ngeli pa u prekur! Kostumet origjinale, muzika e përshtatur në ritmin dhe traditën e lëvizjeve të trevës punuar me mjeshtri nga koreografi Dilaver Kryeziu dhe autori Ylber Asallanaj ishin mbresëlënëse dhe nisje spektakolare që pasqyronte gjurmim të Rekës; ritmit, valles, dokeve dhe traditave të harmonizuar me veshje origjinale.
Kjo valle u begatua me instrumente burimore nga Ardi Osmani e Mexhait Ramadani. Fat i Ansamblit shqiptar që tashmë në repertor ka “Vallen e Rekës” konsiderojnë publiku dhe artdashësit. Pas emocioneve që sollën kostumet, muzika, lashtësia e Rekës përcjellur dhe me paraqitjen e profesorit universitar Xhelil Rufati i cili në këtë valle ishte në rolin e lajmëtarit , ai në emër të shoqatës “Reka e Epërme” falemnderoi drejtorin Shkodran Tolaj për guximin që të gjurmojë një zonë të tillë dhe ta vendos në program shpirtin kombëtar të asaj pjese duke ua vënë në vend dinjitetin rekalinjëve andaj për të ndau mirënjohje dhe dhuratë me simbole të Rekës. Pas këtij koloriti ngjyrash e tingujsh, grupi i solistëve plotësoi programin me interpretimet e këngëve “Një lule në Gostivar”, nga grupi i solistëve, më pas u interpretua kënga “Miriban” nga Besarta Murtezani, “Dallëndyshe” nga Era Azemi dhe “Tetovare” nga Zekirija Lamallari.
Me ovacione të jashtëzakonshme u prit ikona e valles shqipe, nderi i kombit Liliana Cingu e cila së bashku me vallëtarin Ilir Loku sollën të famshmen “Vallja e Çobanit”. Në momentin e daljes në skenë e tërë salla ishte në këmbë në shenjë nderimi e mirënjohje për mysafiren speciale. Pas një përshëndetje ku z.Cingu u shpreh se ndjehet e nderuar që rikthehet në skenë pikërisht me ansamblin shqiptar vazhdoi programi me Vallen e Prespës dhe kostumin djemtë e vajzat që dhanë mesazhin se gegë e toskë janë bukuria e madhështia e muzikës dhe shqiptarëve. “Vallja e Prespës” erdhi premierë punuar nga koreografi Genc Kastrati e muzikë nga Valton Beqiri me kostume origjinale e të punuara me aq përkushtim. Në këtë atmosferë vazhdoi grupi i këngëtarëve “ Pse jem toskë e pse jem gegë”. Me ovacione të njejta nga publiku u prit kënga e Brahim Ketës interpretuar nga Agron Kalisi kurse më pas Jetmir Rexhepi interpretoi “Këngë bashkimi”. Ky bllok u mbyll me “Shqiptaria” interpretuar nga Kastriot Latifi. Në këtë frymë epizmi u shfaq në skenë “Vallja e paqes” punuar me rastin e 20 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit si shprehje e sfidave dhe ecjes së shtetit dhe shqiptarëve në dy dekadat e fundit. Kjo valle me koreografi të Robert Nuhës e muzikë nga Valton Beqiri solli energji, profesionalizëm dhe gërshetim të kombëtares me modernen që shprehë ecjen e ansambëlit që pavarësisht sfidave ka arritur të etablohet si institucion nga i cili kanë kthyer kokën personalitetet dhe institucionet më relevante në rajon. Në atmosferë të tillë krenarie u ftua në skenë emblema e luftës dhe paqes dhe protagonisti kryesor i të gjitha ecjeve në dy dekadat e fundit- lideri Ali Ahmeti. Duke shprehur emicione që Reka e Jusuf Bagerit u shpalos në atë skenë, duke shprehur konsideratë për artisten e madhe Liliana Cingu paraqitja e të cilës do ngelet në historinë e shqiptarëve në RMV që dikur vetëm do mund të ëndërronin një moment të tillë, ai përgëzoi drejtorin për të arriturat e deritanishme i bidur se misioni dhe gjurmimi vazhdon.
Pas duartrokitjeve frenetike për z.Ahmeti programi vazhdoi me këngën “Mic Sokoli” që u interpretua nga doajeni i këngës popullore Salajdin Miftari. Në atmosferë të njejtë grupi i solistëve interpretoi këngën “Moj Shqipëri të qofsha falë” për të vazhduar me një nga vokalet më të spikatura popullore Nexhat Suma i cili interpretoi këngën antologjike “Jem Ilira, jem Teuta”. Në këtë atmosferë të ngrohtë ovacionesh e duartrokitjesh u ngjit në skenë drejtori Shkodran Tolaj i cili ndau medalje të Ansamblit për artistin e madh të valles, për shqiponjën që e dërgoi vallen shqipe kudo në botë, për nderin e kombit I cili për 45 vite ishte simbol i valles shqipe dhe model për shumë vallëtarë që sot janë në skenë- Rexhep Çeliku dhe këtë mirënjohje e pranoi zonja e tij. Medalja tjetër shkoi për Alush Hamidin i cili një jetë të tërë mbajti gjallë shpirtin e kombit shqiptar të Maqedonisë përmes kulturës, në vitet më të rënda për shqiptarë. Familjarët e tyre shprehnin konsideratat më të larta për nderin që po u bëhej.
Nêu fillim dhe mbarim të programit ishte risi paraqitja e Bedri Selmanit në rolin e Ismail Qemalit i cili simbolizonte rrugën e vështirë të Pavarësisë dhe udhëtimin Vlorë-Shkup! Programi u përmbyll me “Xhamadani vija- vija” që ka kaluar në himn të muzikës sonë të cilën e interpretonin gjithë artistët dhe spektatorët! Kjo ngjarje do mbetet padyshim jo vetëm në arkivën e Ansamblit si performancë e shkëlqyer dhe një natë plot art e shkëlqim por dhe një nga mbrëmjet më të veçanta për spektatorët dhe të pranishmit në mesin e të cilëve kishte ministra, sekretarë shtetërorë, drejtues institucionesh dhe personalitete nga fusha të ndryshme! Transmetimi i këtij manifestimi u dha drejt për drejt në Televizionin e Maqedonisë dhe Radiotelevizionin shqiptar duke rritur jehonën e kësaj ngjarje të rëndësishme kulturore.