Skuadra e Shkëndijës konfirmoi titullin vjeshtor në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë edhe pse përjetoi disfatë në javën e parafudit. Skuadra tetovare, ndërpreu serinë e 7 fitoreve me radhë. Goli i vetëm në këtë ndeshje e shnëoi Mario Krstovski, në minutën e 26-të, që siguroi 3 pikë për skuadrën e Akademia Pandevit, me çka shtrëngoi pozitën e tretë.
Ndërkohë Vardari në terrenin e vendas arrin të arkëtojë 3 pikë, duke mundur skuadrën e Pobedës me 3-0. Vladica Brdarovski hapi rezultatin në minutën e 18-të para se Popzlatanov të shënojë golin e dytë. Ndërsa autor i golit të tretë ishte Besar Iseni. Ndërkohë në derbin e javës së 17-të, në stadiumin në Çair, nuk kishte fitues, në sfidën mes FC Shkupit dhe Renovës.
Mysafirët ishin të parët që hapën rezultatin me golin e Bashkim Velijës në pjesën e parë, ndërsa FC Shkupi barazoi shifrat me golin e Kristijan Stojkoskit, në minutën e 68-të. Në përballjet e tjera, Rabotniçki si mysafirë mundi Bellasicën me 2-1. Herera dhe Petkovski shënuan për mysafirët, ndërsa golin e nderit për vendasit, e shënoi Vuslanin.
Në lagjen Gjorçe Petrov, Makedonija u ndal në barazim 1-1 ndaj Sileksit. Da Silva hapi rezultatin , para se mysafirët të barazojnë shifrat me golin e Duranskit.
Në tabelën e klasifikimit , Shkëndija është e para me 37 pikë, 3 më shumë se Vardari në pozitën e dytë. Akademia Pandev mban pozitën e tretë me 29 pikë, para Rabotniçkit me 26 dhe Renovës me 21 pikë. Në vendin e 6-të është FC Shkupi me 20 pikë , para Makedonija Gj.P. Me 18 pikë. Në zonën e rrezikut janë Pobeda dhe Bellasica me 17 pikë, ndërsa i fundit është Sileksi me 15 pikë.