Shkodran Tolaj, një drejtues model në institucionet shqiptare

E kam të qartë, se çdo rrugë niset lehtë, por është e vështirë t’i dilet në krye. Megjithatë, kur qëllimi është i mbarë s’ ka gjë që të ndalon në përmbushjen e plotë të misioneve. Jam I lumtur, që pa mbushur ende dy vite nga funksionimi i mirëfilltë i Ansamblit, është fituar jo vetëm respekt e admirim në masë, por si institucion ka kaluar në krenari për cdo shqiptar, thoté në mes tjerash Drejtori i Ansamblit Shtetëror tè këngëve dhe valleve në R.M.V , tenori i njohur Shkodran Tolaj, me të cilin këto ditë e zhvilluam këtë intervistë, shkruan “Kosovarja”.

Marketing

Z. Tolaj, ka më pak se dy vite që keni marrë drejtimin e Ansamblit.

Cila është eksperienca juaj për këtë kohë?
Nuk është e lehtë të marrësh përsipër drejtimin e një institucioni që për shqiptarët paraqet vlerë të posacme jo vetëm artistike por edhe shpirtërore e kombëtare. Fatmirësisht ardhja ime në Ansambël u bë pas shumë vite karrierë individuale si artist por dhe pas më shumë se 7 vite që kam themeluar e drejtuar disa evenimente të suksesshme brenda trojeve tona. Pashmangshmërisht eksperienca është shumë e rëndësishme dhe njohjet personal me personalitetet kyce të kulturës mbarëshqiptare për ta orientuar institucionin aty ku duhet. Vec kësaj plani dhe koncepti programor, katër vjecar që është dorëzuar që në momentin kur jam zgjedhur drejtor ka bërë që në punën drejtuese të ketë koncept të qartë të funksionimit. Pra në karierë, por dhe në punën drejtuese proceset nuk ecin “ad hoc” por sipas një plani afatgjatë. Për ata që nuk e dinë: ansambli u krijua dhe themelua në vitin 2018 me vizion largpamës të udhëheqësve të proceseve politike e kulturore që vunë themelet e tij ndërkaq stafi fillestar artistik është përzgjedhur nga ushtruesit e detyrës vetëm dy muaj para se të marr mandatin unë si drejtor-në nëntor të vitit 2019. Fatmirësisht që nga koncerti i parë promovues në Tetovë në nëntor 2019 kur oficialisht kam marrë detyrën, kam ideuar në pikëpamjen e imazhit dhe paraqitjes çdo gjë sa i përket paraqitjeve të ansamblit kështu që mund të them me mburrje se është bërë punë e jashtëzakonshme duke e ndjerë se e kemi obligim profesional edhe kombëtar. Ansambli pavarësisht kohës së vështirë të pandemisë sot numëron koncerte tematike që kanë arkivuar krijimtarin e Musa Piperkut, Lorenc Antonit, Trio Zajazit, koncert të jashtëzakonshëm dedikuar Ilir Shaqirit, numëron valle të vecanta si “Malësorja” e “ Vallja e paqes”, pjesëmarrje në evenimente qëndrore shtetërore,koncerte në Kosovë, Mal te Zi, Emiratet Arabe, çmim të parë në Veliko Tarnovo- Bullgari dhe një mori punësh artistike e administrative që publiku i ka ndjekur vazhdimisht dhe janë pasqyrar në të gjitha mediat shqiptare dhe disa media të huaja. E tërë kjo është arritur me diciplinë sepse neve nuk na duhet megalomania dhe “ndreqja e qejfsheve” sipas grupacioneve e lokaliteteve, por ecja me këmbë në tokë për të vendosur rregull në punë që të shkojmë përpara. E kam të qartë se çdo rrugë niset lehtë por është e vështirë ti dilet në krye. Megjithatë kur qëllimi është i mbarë ska gjë që të ndalon në përmbushjen e plotë të misioneve. Ansambli sot punon sipas standarteve artistike e programore, rregulloreve administrative dhe ka të zgjidhur edhe cështjen e objektit dhe adresës oficiale. Jam I lumtur që pa mbushur ende dy vite nga funksionimi I mirëfilltë është fituar jo vetëm respekt e admirim në masë por si institucion ka kaluar në krenari për cdo shqiptar.

Së fundmi keni realizuar premierën “Vallja e paqes” 20 vjetorin e Marrëvshjes së Ohrit?

Cfarë mund të na thoni për këtë ide dhe realizim?
Vallja e paqes paraqet 20 vite histori, përpjekje dhe momentin e ndaljes së konfliktit të armatosur për të ndërtuar një jetë të re dhe të përbashkët. Kjo valle na kujton se ansambli dhe cdo institucion tjetër, por dhe statusi I shqiptarëve në RMV sot është rezultat I kësaj marrëveshje të protagonistëve të zgjuar që në momente vendimtare ditën të marrin vendime të mëdha për të shpëtuar ardhmërinë e brezave të rinjë tek të cilët duhet ushqyer dashuria për punë dhe për vendin tonë. Jam I lumtur që në këtë 20 vjetor ne arritëm që të sjellim dicka të paimagjinueshme për ansamblin në fillimet e tij por falë një pune përmanente që është bërë, madje dhe në kohën më të vështirë- në pandemi, ansambli u konsolidua dhe erdhi në formë që të përballojë kërkesat e koreografit të ri por tejet ekspeditiv Robert Nuha. “Vallja e paqes” me muzikë të Valton Beqiri ishte sfidë për tërë trupën artistike dhe jam shumë i bindur që do mbetet pasuri në arkivat tona nga ky 20 vjetor i Marrëveshjes së Ohrit.Koncerti i mbajtur nën patronatin e Ministrisë për Sistem Politik dhe Marëdhënie në mes Bashkësive dhe zyra e zv.kryeministrit dhe organizuar nga ansambli ynë, i mbajtur me 08 gusht në Teatrin e Operës dhe Baletit dhe i transmetuar drejtperdrejt në TVM2 është komentuar si një prej koncerteve më të përgatitura profesionalisht dhe në aspektin konceptual solemn dhe kjo padiskutim që na bën të lumtur.

z. Tolaj , gjatë punës a hasni në probleme, në individë që mund të kenë apetite që të përvjetësojnë meritat e një angazhimi të jashtëzakonshëm apo fenomene të ngjashme që ndodhin në ambientet tona ballkanike?
Mund të ketë nga ata që kanë mungesë suksesi nga dalja individuale në skenë dhe mungesa e profilit profesional, mund të ketë ndoshta edhe nga ata që “e kanë bishtin e shkelur me derë” , mund të ketë edhe nga ata që kanë nevojë të jenë në qendër të vëmendjes me cdo kusht dhe nuk zgjedhin forma si pasojë e dëshirës për të ardhur në shprehje jashtë shoqërisë e lokalitetit ku jetojnë por unë i kuptoj të gjitha në rrethet ku jetojmë andaj me këtë pjesë nuk jam marrë e nuk do merrem kurrë, sepse po të ishte ndryshe nuk do mund të punoja, të realizoj detyrën që më është besuar dhe qëllimet që i kam vënë vehtes.Përndryshe vetëm aty ku nuk punohet nuk ka probleme andaj detyra jonë është që çdoheré të gjejmë zgjidhje dhe ta vëmë vehten në shërbim të institucionit dhe jo institucionin në shërbim të realizimit të interesave personale. Me këtë rast po përmend thënien e mikut tim të shtrenjtë Qani Mehmedit, i cili shpesh e përsëriste “ të vegjëlit merren me njerëz, të mesmit me ngjarje e të mëdhenjtë me ide- koncepte dhe realizimin e tyre” Neve na nevoitet çdo ditë të ideojmë dhe realizojmë bashkërisht për të ngritur artistikisht ansamblin aty ku duhet. Ansambli është rezultat I flijimit të djemve më të mirë, të sakrificës së idealistëve të të gjitha shoqërive andaj bashkë me profesionistë të fushës si deri më sot do të vazhdojmë me tempon e shpejtë të ngritjes artistike që të jemi jo vetëm në hap me Ballkanin, por edhe me Evropën dhe proceset kulturore të institucioneve , të cilat janë krijuar dekada më parë. Misioni që i kemi vënë vehtes në ngritjen e instituconit tonë të shenjtë kombëtar e kulturor po realizohet cdo ditë dhe për këtë padiskutim jo që jam I lumtur unë por janë krenarë të gjithë ata që e ndjejnë këtë shtëpi si pjesë te tyre.

z. Tolaj, sa mund që paralelisht të jeni pjesë e skenës dhe drejtues i suksesshëm?
E vërteta është që shumë energji dhe punë duhet ti dedikosh institucionit por natyrisht që dalja në skenë dhe Interpretimi për mua ka kaluar në pjesë organike dhe në një ushqim të vazhdueshëm që më mban gjallë sespe u bënë 20 vite që jam pjesë aktive e skenës. Mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që drejtuesit e institucioneve kulturore të jenë vet artistë sepse e ndjejnë ndryshe cdo eveniment që ndërtojnë. Sa I përket projekteve të fundit që përmendët ato kanë ardhur sepse I ka kërkuar koha e momenti. Janë projekte me peshë të cilat I janë dedikuar Adem Jasharit që transmeton një bashkim shpirtëror shqiptar dhe një kujtesë kolektive për historinë tonë të lavdishme si dhe “Shkupi dardan” për 109 vjetorin e clirimit të Shkupit që u festua me 12 gusht. Vazhdimisht vinë ftesa për pjesëmarrje në evenimente e festivale të ndryshme një pjese të se cilave për hir të së vërtetës nuk arrij fizikisht tu përgjigjem por do vecoj spektaklin në Tiranë “Këngë moj” dhe performancat live të këngëve “Fjalët e qiririt”, “ Sefë Kosharja”, “ Cpo I bjen era retë e zeza” të cilat janë pëlqyer jashtëzakonisht nga publiku.

z. Tolaj: Cila është formula e suksesit?
Me artin, punën dhe kriteret skam bërë kurr kompromis dhe kjo mbetet formula e punës sime si në karrierë individuale ashtu edhe në atë menaxheriale dhe udhëheqëse. Vitet më kanë treguar që kjo mënyrë është më e vështirë por është garanca e vetme e suksesit afatgjatë. Roli I profesionistit të vërtetë është të punojë dhe ajo punë të flet vet, njëkohësisht të jetë I gatshëm për ecje maratonike në staza të gjata pa u dorëzuar asnjëherë./ Kosovarja/

Marketing