Shkon në mbi 50 numri i viktimave nga sulmet izraelite në Siri 

Numri i viktimave nga sulmet ajrore izraelite në Siri është rritur në 52. Në mesin e viktimave përfshihen 38 ushtarë qeveritarë të Sirisë, shtatë anëtarë të grupit militant libanez, Hezbollah, tha më 30 mars një grup monitorues i luftës. 

Marketing

Sulmet ajrore ndodhën të premten dhe rritën shqetësimet se mund të përhapet konflikti në rajon. 

Sulmet kishin për cak “një depo raketash që i përkiste Hezbollahut”, që gjenden afër aeroportit të Alepos në veri të Sirisë, tha Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut, grup monitorues me seli në Britani. 

Ky ishte operacioni i fundit vdekjeprurës ndaj forcave në Siri, që mbështeten nga Irani. Në Siri, Hezbollahu ka mbështetur Qeverinë në luftën kundër kundërshtarëve të saj që kur nisi lufta civile siriane më 2011. 

Sulmet izraelite ndaj caqeve në Siri janë intensifikuar që nga nisja luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Rripin e Gazës më 7 tetor. 

Izraeli rregullisht kryen operacione ndaj Hezbollaht në Liban, teksa të dyja palët shkëmbejnë zjarr në kufi.
Sulmet ajrore të së premtes vranë 38 ushtarë sirianë, shtatë anëtarë të Hezbollahut dhe shtatë luftëtarë sirianë proiranit, tha Vëzhguesi. Paraprakisht, numri i viktimave ishte raportuar se ishte 44. 

Ky është numri më i madh i ushtarëve sirianë të vrarë gjatë sulmeve izraelite që kur nisi lufta me Hamasin, tha Vëzhguesi sirian, organizatë që varet nga informacionet që merr nga një rrjet burimesh që ka në Siri. 

Izraeli shumë rrallë komenton për sulme individuale, duke mos konfirmuar apo mohuar operacionet në Siri./REL