Bankat shkollore në shkollën e mesme “Maria Kiri Sklodovska” në lagjen Aerodrom sot ishin të boshatisura. Arsyeja e mos mbajtjes së mësimit, janë erërat e forta të mbrëmshme me 100 kilometra në orë, të cilat shkatërruan çatinë e godinës. Ekipet e zjarrfikësve dhe “NP Rrugë dhe Rrugica”, sot pasdite e hiqnin çatinë prej llamarine, duke e lënë atë në oborrin e shkollës.
Kryetari i Shkupit Petre Shilegov, thotë se fasada e shkollës u rindërtua verën e kaluar, dhe çatia u rinovua herën e fundit 11 vjet më parë, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e udhëhequr nga Nikolla Todorov.
Për fat të keq, siç e shihni sot, gjendja e çatisë është ashtu siç është. Dhe jo vetëm çatia, është e qartë se në të kaluarën kur janë bërë punimet e ndërtimit, nuk i është kushtuar vëmendje cilësisë – tha Petre Shilegov- Kryetar i Qytetit të Shkupit.
Përveç shkollës kimike, pjesërisht u dëmtua edhe çatia e Shkollës së Mesme Korçagin. Përveç në institucionet arsimore, pasojat nga stuhia e një ditë më parë janë prezentë nëpër rrugët e Shkupit. Pemë dhe degë të rrëzuara, çati dhe gardhe mbrojtëse të shkulura, bilborde të grisura dhe fasada të rrëzuara të objekteve, përfshirë edhe fasadën e re barok të Shoqatës Aksionare Mepso, e cila kushtoi 11 milion euro për t’u ndërtuar. Lëvizja në këtë hapësirë është e kufizuar, policia ka bërë tashmë një procesverbal, dhe kompanitë e sigurimeve dhe profesionistët së shpejti do të bëjnë vlerësimin e dëmit.
Era e djeshme fjalë për fjalë, e zhveshi ndërtesën e administratës së MEPSO-s, dhe pjesa më e madhe e fasadës u gjet në tokë. Pjesë të shkulur të polistirenit kanë dëmtuar disa automjete zyrtare dhe gjithashtu janë shkulur rreth 10 kondicionerë. Era për vetëm disa orë ka treguar se sa i pasigurt mund të jetë projekti Shkupi 2014, për jetën e njerëzve – tha Eva Shukleva, Drejtor i Përgjithshëm i SH.A. MEPSO.
Në terren janë edhe ekipet e Ujësjellësit dhe Kanalizimeve, që kryejnë pastrim dhe kontrollim të funksionalitetit të ulluqeve dhe pusetave në të gjitha komunat, për funksionimin papengesë të rrjetit të kanalizimit atmosferik.
Përndryshe, shumica e dëmeve të raportuara në numrin e telefonit 195 në Qendrën për Menaxhim me Kriza, vijnë nga qytetarë në komunat Karposh, Qendër dhe Kisella Vodë. Komuna e Karposhit tashmë u bëri thirrje banorëve të paraqesin kërkesa, nëse kanë pësuar dëme në shtëpitë e tyre, në mënyrë që të ndihmojnë financiarisht në riparim. Përveç dëmeve materiale, edhe një person u lëndua gjatë stuhisë së djeshme.