Dy persona kanë marrë lëndime të rënda trupore, ndërsa 17 persona kanë marrë lëndime te lehta në 13 nga gjithsej 23 aksidente që kanë ndodhur gjatë 4 ditëve në Shkup. Në 10 aksidente është shkaktuar dëm material.
Siç njofton MPB policia rrugore ka sanksionuar 139 shoferë të cilët kanë lëvizur me shpejtësi më të madhe se e lejuara, 23 shoferë kanë drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit, 35 të tjerë janë përjashtuar nga trafiku para se ta marrin të drejtën për drejtim të automjetit dhe 11 shoferë fillestar.
Nga trafiku gjithashtu është përjashtuar edhe një veturë e cila ka qenë teknikisht e parregullt, 34 vetura të paregjistruara, ndërsa janë hasur edhe 211 vetura të parkuara në mënyrë të parregullt. Me ndihmën e automjetit special “karrotrec” janë larguar 130 automjete.
Është sanksionuar edhe një këmbësor i cili ka kaluar rrugën jashtë vendkalimit për këmbësorë, 5 këmbësorë të cilët kanë kaluar rrugën në dritë të kuqe, 15 të cilët kanë kaluar udhëkryqin në dritë të kuqe, 9 shoferë nuk kanë dhënë përparësi për kalimin e këmbësorëve në vendkalim për këmbësorë, 10 shoferë për ndalesë të parregullt, një shofer nuk ka dhënë përparësi për kalimin e veturës në udhëkryq, 16 shoferë nuk kanë pasur pajisjet e nevojshme për dimër, 3 shoferë që nuk kanë përdorur rripin e sigurimit dhe 21 shoferë për shfrytëzimin e telefonit gjatë kohës së drejtimit të automjetit.