Lideri aktual Shkupi vazhdon serinë e fitoreve, pasi edhe në xhiron e 21-të në elitën e futbollit vendor ka marrë triumf përballë Tikveshit në Çair me rezultatin 3:2. Golat për skuadrën bardheblu i realizuan Inasio dhe dy herë gjeti rrjetën Adetunxhi, përderisa për Tikveshin realizuan Stojkov dhe Ngoba. Shkupi pas kësaj xhiroje ka forcuar kreun e tabelës edhe më shumë, pasi dy ndjekësit e tij Shkëndija dhe Akademia Pandevi nuk shkuan më shumë se një barazim pa gola në përballjen direkte të tyre sot në Tetovë, me skuadrën nga Çairi që tashmë mban diferencë prej 10 pikëve me kuqezinjtë dhe 11 me skuadrën nga Strumica. Fitore në këtë xhiro ka marrë edhe Struga Trim Lum që falë golit të Bunjamin Shabanit mundi Borecin në transfertë. Rabotniçki mund Skopjen me shifra minimale 0:1, ndërkohë ndeshja Pelisteri – Renova është shtyrë për shkak të borës që kishte mbulur stadiumin në Manastir dhe e njejta do të zhvillohet nesër në stadiumin “Biljanini Izvori” në Ohër, duke nisur nga ora 14:00.