Duke rikujtuar edhe një herë 12 gushtin e vitit 1912, historia më e re
do të nxjerr mësime të shumta, në bazë edhe të pësimeve, por kujtimi për
Hasan Prishtinën dhe bashkëudhëtarët e tij do të mbetet amanet i brezave
në ardhje për ta shndërruar Shkupin në pikëtakim të ideve progresive që
një ditë Maqedonia Veriut të jetë një “Zvicër e Ballkanit”.
Nga Skender ASANI
Gjeopolitika ruse e shek. 19 është bazuar në shtrirjen e ndikimit në
pjesën evropiane të Perandorisë Osmane nëpërmjet tre projekteve të
mëdha: Greqia e Madhe (Megaloidea), Bullgaria eMadhe (Shën Stefani) dhe
Serbia e Madhe (Naçërtanija). Kjo gjeopolitikë asnjëherë nuk i shuajti
aspiratat e saja, ndonëse intensiteti i saj pësoi ngritje dhe rënie,
varësisht nga rrethanat historike nëpër të cilat kalonin pjesët e
caktuara të Europës.
Nëpërmjet këtyre projekteve, Rusia, në njërën anë, synonte të eliminonte
dy perandori, Prerandorinë Otomane dhe atë Austro-Hungareze, dhe në anën
tjetër, popujve të vegjël (shqiptarëve, maqedonasve etj.) synonte t’ua
reduktonte hapësirën etnike-territoriale…
Edhe pse asnjëherë nuk u arrit të vendoset një bashkëpunim i mirëfillt
kulturor e politik i rilindasve shqiptarë dhe maqedonas, ata megjithatë
me idetë e tyre iluministe propagonin një Ballkan të lirë ku gjithë
popujt do të gëzonin të drejtat e barabarta, pa patur nevojë që të
cënojnë lirinë e tjetrit. Prandaj jo rastësisht në kohën e Rilindjes së
popujve ballkanik kishte lindur edhe ideja e projektuar në formulën
“Maqedonia-Zvicra eBallkanit”, e cila do neutralizonte projektet
shkatrrimtare ruse.
Ideatorët e kësaj formule iluministe kishin pikëpamje shumë demokratike,
për arsye se lirinë e popujve të tyre nuk e bazonin mbi robërinë e
popujve të tjerë dhe kishin orentim perendimor.
Fatkeqësësht idetë e tilla iluministe nuk gjetën terren të përshtatshëm
zbatimi, për shkak të Krizës Lindore, si pasojë e luftës ruso-turke, ku
Rusia gjunjëzoi Perandorinë Osmane dhe për rrjedhojë e detyroi të
nënshkruaj Marrëveshjen e Shën Stefanit.
Për të parandaluar rrezikun e mëtejm, Evropa organizoi Kongresin e
Berlinit (1878) në mbrojtje të kufijve të jashtëm të Perandorisë Osmane.
Por, aspiratat ruse për të dominuar në Ballkan nuk rreshtën dhe ato
kulmuan me luftërat ballkanike, ku Serbia dhe Greqia sërish u zgjeruan
në dëm të territoreve të poujve të tjerë. Ky hegjemonizëm serb dhe grek
u vulos në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, 1913 ,kurse në
Konferencën e Versajes (1919) u konfirmua shuarja e dy perandorive:
Perandoria Osmane dhe ajo Austro-Hungareze dhe mbi gërmadhat e saj u
ngrit projekti rus mbi Ballkanin.
Rilindja Kombëtare Shqiptare kontribuoi në ndërgjegjësimin politik e
kulturor të shqiptarëve, por edhe në krijimin e platformave ideologjike
për zbrapsjen e projekteve shoveniste ballkanike të sponzorizuara nga
Rusia. Në kuadër të këtij ndërgjegjësimi ideologët dhe patriotët
shqiptarë, të koordinuar nga Hasan Prishtina, punuan në parandalimin e
ekspansionit të Aleancës Ballkanike, duke marshuar drejt Shkupit më 12
gush 1912, të cilin e çliruan dhe vendosën rend dhe qetësi disaditëshe.
Me këtë, kryengritësit shqiptarë syninin t’i bënin presion Portës së
Lartë që të pranojë kërkesën për Autonomi, në mënyrë që të mos i jepej
shkas Alenacës Ballkanike për luftë të përgjithshme.
Ngjarjet pastaj rrodhën sipas dinamikës së njohur dhe shqiptarët sërish
ngelën të fragmentuar në pikëpamje të organizimit shtetëror, deri në
vitin 1999 kur rrethanat u ndryshuan në favor të krijimit të
parakushteve për një Kosovë të lirë, e cila do të shpallet shtet i
pavarur më 17 shkurt 2008.
Zhvillimet në Ballkan kanë ndjekur dy linja veprimi, sa i përket
preferencave gjeopolitke. Njëra linjë ka mbështetur fuqishëm frymën
evropiane në politikat shtetndërtuese, kurse linja tjetër ka qenë pre e
ndikimit rus. Si pasojë e këtij ndikimi edhe hapësira e ish Jugosllavisë
kaloi nëpër turbulenca të shumta që u shpërfaqën në formë të
konflikkteve e trazirave të ndryshme. Këto turbulenca u manifestuan
menjëherë pas rënies së Murit të Berlinit (1989), që rezultoi me
shpërbërjene Bashkimit Sovjetik. Për ta kompensuar humbjen që pësoi nga
kjo shpërbërje, Rusia frymëzoi forcat nacionaliste në ish Jugosllavi,
sidomos në Serbi, që të rikthejë në skenë aspiratat hegjemoniste, duke
vënë në lëvizje ish APJ-në, e cila u vu në shërbim të plotë të
politikave ekspansioniste të Beogradit, gjoja në mbrojtje të tërësisë së
plotë territoriale tël ish-Federatës Jugosllave. Fillimi viteve
nëntëdhjetë, përpos krijimit të shteteve të reja, ishte i mbushur plot
me skena lufte e gjenocidi, kurse trajtat më të tmerrshme të këtyre
skenave u shfaqën në Bosnjë dhe në Kosovë.
Të gjitha këto zhvillime nuk mbetën pa u reflektuar edhe në Maqedoni,
para dhe pas pavarësimit të saj, ndonëse këtu nuk pati zhvillime
dramatike si në ish-republikat tjera jugosllave. Sikundër dihet, pas
pavarësimit të Maqedonisë, lidershipi i saj ende kishte dilema nga duhej
të shkonte shteti i ri, andaj inicuan referndumin, i cili linte të hapur
mundësinë e ribashkimit me ish-Federatën Jugosllave (me Serbinë). Në
fakt ky ishte një kurth i politikës ruse për ta nda Maqedoninë, ndërkohë
që kjo e fundit kaloi nëpër një proces të ri kushtëzimesh nga jashtë
(emri, kisha, historia nacionale) , të cilat e vështirësuan dukshëm atë
në integrimin euro-atlantik.
Deri në vitin 2001 lidershipi maqedonas udhëhoqi politikë pro-ruse, e
cila shpiente në prishjen e kohezionit të brendshëm social e etnik dhe
ishte kundër statusit që garantonte barazinë e shqiptarëve. Por me
rezistencën e vitit 2001, shqiptarët kontribuuan në amortizimin e
ndikimit rus në Maqedoni duke e orientuar shtetin drejt vlerave
euro-atlantike. Kjo u arrit përmes Marrëveshjes së Ohrit që u reflektua
në ndryshimet kushtetuese që pasuan.
MO përfundimisht e shkëputi Maqedoninë nga ndikimi rus dhe e përforcoi
kursin euro-atlantik.
MO e parandaloi konfliktin ndëretnik dhe përkufizimin territotorial mbi
baza etnike.
Pasoi Marrëveshja e Prespës, që ia hapi dyert anëtarësimit të Maqedonisë
në NATO.
Me tejkalimin e problemeve të hapura me Bullgarinë që do të pasojnë me
ndryshimet kushtetuese, Maqedonia definitivisht evropianizohet dhe
shkëputet nga fryma dhe ndikimi rus.
Gjatë procesit të shtendërtimit të Maqedonisë, shqiptarët janë treguar
faktor stabiliteti, dhe ruajtës të paqes ballkanike, duke investuar
politikisht në dy kauza të mëdha: BE dhe NATO. Këto kauza kishin edhe
kosto mbi rejtingun e partive politike në elektoratin shqiptar, por
lidershipi shqiptar tregoi maturi dhe pjekuri duke favorizuar
evropianizimin e Maqedonisë, si parakusht edhe për barazi të plotë
nacionale të shqiptarëve.
Në opinionin maqedonas jo rrallë qarkullojnë zëra se me ndryshimet e
paralajmëruara kshtetuese gjoja do të zbehet identiteti nacional i
maqedonasve. Në fakt këto ndryshime do ta fuqizojnë edhe më tepër këtë
identitet dhe kjo u konfirmua edhe nga Bundestagu Gjerman i cili përmes
një rezolute të pasaçme njohu tiparet dhe veçantitë e identitetit
nacional maqedonas. Pritet që shumë shpejt me një qëndrim të ngjashëm do
të del edhe Kongresi Amerikan, me çka edhe ndërkombëtarisht jepet
garancë se identiteti nacional i maqedonasve është i pacënueshëm nga
çfarëdo lloj ndryshimi kushtetues që mund të ndodhë.
Ata që kundështojnë ndryshimet kushtetuese, janë për ruajtjen e
status-quos, duke mos pranuar realitetin e ri në të cilin u zhvillua
ideniteti maqedonas, për të cilin ishin angazhuar edhe rilindasit e
këtij populli. Mospranimi i realitetit të ri e konfronton identitetin
maqedonas me historinë në të cilin u krijua dhe zhvillua ky komb,
prandaj të gjithë ata që kundështojnë këtë realitet janë edhe kundër
bashkëjetesës me shqiptarët dhe kundër faktorizimit të tyre në shtet.
Ndryshimet kushtetuese nuk kanë alternativë tjetër, sepse ato e hapin
procesin evropianizues të Maqedonisë dhe largimin definitiv të ndikimit
rus. Kjo gjithsesi do të ndikonte pozitivisht edhe në tejkalimin e
problemeve në Bosnjë dhe në Kosovë, me çka Maqedonia mund të bëhet
model për tejkalimin e problemeve të hapura me fqinjët si dhe një
faktor stabilizues për rajonin.
Në anën tjetër, shqiptarët duke njohur Maqedoninë e Veriut si shtet dhe
identitetin e ri maqedonas, po i rikthehen formulës së dikurshme të
Rilindjes: “Maqedonia – Zvicra e Ballkanit”, një formulë kjo efikase për
parandalim i ideve destabilizuese në Ballkan dhe sidomos në Maqedoni, të
cilat po shfaqen në skenën politike përmes të majtës ekstreme dhe frymës
fetare në subjekte të caktuara politike.
Forca ndikuese e faktorit politik shqiptar gjithmonë ka qenë pengesë e
qarqeve që kanë stimuluar deatomizimin e këtij faktori, duke nxjerrë nga
mënga grupime partiake të cilat përmes shkërmoqjes së elektoratit
shqiptar i bëjnë një shërbim kolosal rrymave politike proruse në
Maqedoninë e Veriut.
Duke rikujtuar edhe një herë 12 gushtin e vitit 1912, historia më e re
do të nxjerr mësime të shumta, në bazë edhe të pësimeve, por kujtimi për
Hasan Prishtinën dhe bashkëudhëtarët e tij do të mbetet amanet i brezave
në ardhje për ta shndërruar Shkupin në pikëtakim të ideve progresive që
një ditë Maqedonia Veriut të jetë një “Zvicër e Ballkanit”.
Shkup, 12 gusht 2023