Shkupi, Kumanova, Shtipi, Tetova edhe 12 komuna përreth në karantinë 80 orëshe

Prej mbrëmë në orën 21 filloi ora policore që do të zgjasë 80 orë për qytetarët e të gjitha komunave në Qytetin e Shkupit, komunat përreth si Haraçina, Zelenikova, Ilindeni, Petroveci dhe Studeniçani, në Kumanovë, Likovë, Shtip, Karbinc, Tetovë si dhe Bogovinë, Bërvenicë, Tearcë, Zhelinë dhe Jegunocë.

Marketing

Ndalesa për lëvizjen e qytetarëve në këto komuna do të zgjasë 80 orë, gjegjësisht deri të hënën në orën 05.

Në të gjitha qytetet e tjera në vend ndalesa për lëvizje e cila filloi mbrëmë në orën 21 do të vlejë deri në orën 05 nesër në mëngjes. Ndalesë për lëvizje do të kenë edhe ditëve të tjera të fundjavës së zgjatur, gjegjësisht edhe të premten, të shtunën dhe të dielën e cila do të fillojë në orën 16 dhe do të zgjasë deri në orën 05 në mëngjes.

Për shkak të festës Dita e Shpirtrave ndalesë është vendosur edhe për vizitën në varreza në mbarë territorin e shtetit edhe atë prej mbrëmë prej orës 21 deri të hënën deri në orën 05.

Vendimi për vendosjen e sërishme të ndalesës për lëvizje është marrë në pajtim me rekomandimet e Komisionit për sëmundje infektuese, me qëllim të reagimit të shpejtë dhe efikas për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Ndalesë për lëvizje në territorin e të gjithë shtetit pati deri në datën 26 të muajit të kaluar, kur u pezullua tërësisht.

Gjatë periudhës për të cilën është sjellë ky vendim për lëvizje, farmacitë do të punojnë pa pengesë, ndërsa Ministria e Shëndetësisë do të përpunojë plan për punë të papenguar edhe të institucioneve shëndetësore.

Përjashtimet nga ndalesa për lëvizje vlejnë për policinë, armatën, punonjësit shëndetësorë (në ISHP, mjekët amë) dhe për marketet dhe restorantet të cilat bëjnë dërgesë të produkteve, me ç’rast ata angazhimet e tyre do t’i realizojnë pa pengesë.

Përjashtim nga këto ndalesa ka edhe për aktivitetet bujqësore, për çka lejohet lëvizja në kuadër të territorit të fshatrave, vetëm për nevoja pune.

Do të vlejnë edhe të gjitha lejet e dhëna për lëvizje gjatë ndalesave paraprake për lëvizje të cilat ishin vendosur, veçanërisht për operatorët ekonomikë dhe për punë të organizuar në turne.

Ndalesa për lëvizje nuk vlen për personat me aftësi të kufizuara dhe për shoqëruesit e tyre nëse kanë dokument përkatës.

Shëtitja e kanakarëve do të jetë në kuadër të termineve të vendosura në periudhat prej orës 08:00 deri në orën 08:30, 15:00 deri në orën 15:30 dhe 20:00 deri në orën 20:30.