Skuadra e Shkupit sonte do të luajë ndeshjen e kthimit ndaj Shamrokut të Irlandës të vlefshme për xhiron e tretë të eliminatoreve në Liga Europa.
Kampionët e vendit do të kërkojnë përmbysjen e rezultatit të takimit të parë, për të marrë kualifikimin në fazën e plej of-it të këtij kompeticioni dhe në të njejtën kohë për të siguruar grupet e Ligës së Konferencës.
Shkupi për të marrë rezultatin pozitiv dhe që e dërgon drejt fazës tjetër, do të duhet të fitojë sonte ndaj irlandezëve me diferencë prej 3 golave, pasi takimi i parë i luajtur në Irlandë u mbyll me shifra 3:1. Nga tabori i bardhebluve besojnë në përmbysje dhe premtojnë se do të japin më të mirën për të marrë atë që dëshirojnë.
Ndeshja Shkupi – Shamroku do të luhet sonte në stadiumin “Todor Proeski”, duke nisur nga ora 21:00. Në rast kualifikimi, Shkupi në plej of do të përballet me humbësin e takimit Karabah – Farencvarosh, përderisa nëse eliminohen, bardheblutë do të takohen me Ballkanin e Kosovës ose Klaksvikin e Ishujve Faroe.