Ministria e Shëndetësisë informon se sonte në Klinikën e Pulmologjisë në Shkup, një pacient i vendosur në dhomën për mbështetje të oksigjenit, ka nxjerrë maskën përmes së cilës po merrte oksigjen dhe ka ndezur një cigare.
Për shkak të rrjedhjes së oksigjenit në dhomë ka rënë zjarr dhe pacienti ka pësuar djegie të lehtë në fytyrë dhe gjoks. Stafi mjekësor kujdestar ka reaguar me shpejtësi, furnizimi me oksigjen është ndërprerë në kohë, gjë që ka parandaluar një shpërthim. Rasti në polici është raportuar nga Klinika, ndërsa pacienti i lënduar që ka shkaktuar zjarrin është jashtë rrezikut për jetën. Nga zjarri nuk ka të lënduar, ndërsa nga dhoma e spitalit është dëmtuar një pjesë e vogël e dyshemesë.