Udhëtarë të linjës së autobusit Maqedoni e Veriut-Zvicër kanë dërguar pamje në redaksinë e TV21 ku ankohen nga shoferi i një kompanie nga Tetova. Në video shihet se si shoferi i autobusit kyçet “live” në rrjetin social TikTok deri sa vozit autobusin, ndërsa në disa raste kap celularin në dorë dhe bashkëbisedon me ndjekësit në rrjetin social. Udhëtari që raportoi rastin thotë se video është bërë në orët e para të mëngjesit të sotëm, ndërkaq shprehu shqetësimin e tij për sigurinë e pasagjerëve. Ndryshe viteve të fundit Maqedonia e Veriut u trondit nga dy tragjedi me autobusë. E fundit ishte tragjedia në Bullgari, ku në një autobus të kompanisë “Besa Trans” jetën humbën 45 shtetas tanë, ndërsa më herët ndodhi aksidenti i autobusit të “Durmo Turs” në Llaskarcë, ku jetën humbën 16 persona.