Ministria e Ekonomisë ka publikuar thirrjen publike për mbështetje financiare për forcimin e konkurrencës së subjekteve afariste.
Me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, Qeveria ka sjellë Dekretin me fuqi ligjore për mbështetje financiare për përforcimin e konkurrencës së subjekteve afariste në periudhën pas Kovid-19 përmes së cilës realizohet masa për mbështetje të kompanive që kanë investuar gjatë kohës së pandemisë, e cila është pjesë e Pakos së tretë të masave ekonomike të Qeverisë.
Kjo masë parasheh mbështetje financiare prej 20 milionë eurove për të gjitha subjektet afariste nga industria e prodhimit, tregtia dhe IT sektori të cilët gjatë vitit 2020 do të realizojnë investim.
Qëllimi kryesor i kësaj mase, është t’u ndihmohet kompanive që do të humbasin tregjet për t’i rifituar ato – rritjen e konkurrencës së tyre, modernizimin e proceseve, rritjen e produktivitetit me çka do të mirëmbahen sipërmarrjet afariste që do të kontribuojnë në rimëkëmbjen e ekonomisë në vend, përmes realizimit të një projekti investimesh në periudhën pas Kovid-19 nga korriku deri në dhjetor të vitit 2020.
Sipas thirrjes publike (http://www.economy.gov.mk/doc/2823) për këtë masë mund të aplikojnë kompanitë që, gjatë vitit 2020, kanë në realizim e sipër një projekt investimi, punojnë në sektorët prodhues që janë definuar si prodhimtari, përveç atyre që përjashtohen nga kjo mundësi në përputhje me Ligjin për kontrollin e ndihmës shtetërore, subjektet afariste që kryejnë veprimtari tregtare, nëse investojnë në mjetet themelore, kryejnë veprimtari në fushën e shërbimeve të informacionit dhe komunikimit, nëse investimi përfshin krijimin e një njësie të re organizative për zhvillimin teknologjik, hulumtimin dhe/ose zhvillimin e një zgjidhje të re softuerike ose harduerike.
Shuma e ndihmës financiare është 25 për qind e investimit të realizuar sipas planit të investimit që do ta dorëzojë aplikanti, por jo më shumë se: 40.000 euro për kompanitë që kanë realizuar të ardhura totale në vitin 2019 jo më shumë se 1.000.000 euro, 100.000 euro për kompanitë që kanë realizuar të ardhura totale në vitin 2019 nga 1.000.001 euro deri në 10.000.000 euro, 140.000 euro për kompanitë që kanë realizuar të ardhura totale në vitin 2019 nga 10.000.001 euro deri në 50.000.000 euro, 200.000 euro për kompanitë që kanë realizuar të ardhura në vitin 2019 më shumë se 50.000.000 euro.
Kompania që do të marrë ndihmë financiare është e detyruar të dorëzojë një raport deri më 31.01.2021 për rrjedhën e realizimit të planit të investimit me dëshmi se është realizuar brenda planit të investimit për të cilin është paguar mbështetja financiare.
Nëse subjekti afarist nuk arrin të kryejë investimin ose nuk arrin të dëshmojë një minimum prej 80% të vlerës së investimit, ai duhet të kthejë mjetet jo më vonë se 01.03.2022.
Sipas thirrjes publike, kompanitë që aplikojnë do të duhet të paraqesin: Planin e investimit, gjendjen aktuale të subjektit afarist, bilancin e suksesit për vitin 2019, përllogaritje të paradhënieve të tatimit mbi fitimin për muajt mars, prill dhe maj të vitit 2020.