Qëndrimi i eurokomisarit Johanes Han se raportet e progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Maqedoninë e Veriut do të publikohen pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, nuk duhet të kuptohet si fitim në kohë dhe neglizhencë në zbatimin e reformave nga vendet përkatëse.
Profesori universitar Bashkim Selmani thotë se, për dallim nga procesi i anëtarësimit në NATO, ku Maqedonia është parë mes gishtave sa u përket reformave, anëtarësimi në BE kërkon zbatimin e mirëfilltë të reformave si në adoptimin e ligjeve poashtu edhe në zbatimin e tyre në praktikë. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe, funksionimi i shtetit ligjor dhe reformat në gjyqësi duhet të jenë prioriteti i vendit.
“Kur bëhet fjalë për mënyrën funksionale të BE-së, ka pak rëndësi a do të jetë raporti për një apo dy muaj, për sa i përket problemit real që ka gjyqësori në RMV, duke e ditur se reformat në gjyqësi, deri tash, disa qeveri që kanë ardhur kanë ndryshuar vetëm ligjet në formën e shkruar por jo edhe reformën e gjendjes faktike”, tha Bashkim Selmani, profesor universitar.
Sipas tij edhe rekomandimet e eurodeputetëve dhe ndihmës sekretarit të ardhshëm të SHBA-ve për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Filip Riker, ishin në këtë drejtim. Se nuk do të ketë lëshime sa i përket funksionimit të shtetit ligjor dhe të drejtës.
“Realisht faktori evropian i di saktë problemet e gjyqësorit në RMV dhe kësaj radhe nuk bën lëshime, sepse gjithmonë Maqedoninë e ka shikuar me një sy të tolernacës. Dhe kësaj rradhe vetëm vënia në funksion e shtetit të së drejtës fillon nga gjyqësori sepse gjithë njerëzit duhet të jenë të barabartë dhe të njejtë para ligjit”, tha Bashkim Selmani, profesor universitar.
Komisari evropian për zgjerim, Jonahes Han, konfirmoi se raportet për vendet e Ballkanit Perëndimor do të publikohen pas zgjedhjeve evropiane por para inaugurimit të Parlamentit të ri Evropian, që parashihet në ndodh më 2 korrik. Kjo me qëllim që të shmangen të gjitha pengesat e mundshme që do të mund ta vështirësonin debatin objektiv dhe neutral, të raporteve.