Shpenzime minimale për themelim të kompanisë dhe ulje e detyrimeve parafiskale deri në 75 për qind, premton Qeveria

Krijimi i kompanisë me kapital minimal aksionar prej 1 euro, heqja e taksës për dy vitet e para për kompanitë e sapokrijuara dhe ulja drastike e kostos së marrjes së dokumentacionit ligjor për nevojat e biznesit, janë pjesë e premtimeve të qeverisë së re që do të realizohen në vitin e ardhshëm gjatë mandatit katër vjeçar.

Marketing

Kjo do të thotë që qytetarët do të jenë në gjendje të krijojnë kompani me kosto minimale dhe të realizojnë idetë dhe planet e tyre të biznesit duke hapur kompanitë e tyre, ndërsa njoftohet për ndryshim të plotë të sistemit të pagesës dhe shumës së taksës së kompanisë, sipas madhësisë së kompanisë, numrit të punonjësit dhe të ardhurat vjetore.

“Qëllimi ynë është të krijojmë mjedis për biznes dinamik dhe konkurrues, pa ndikime politike, ulje të procedurave dhe barrierave administrative dhe duke shfrytëzuar plotësisht frymën sipërmarrëse dhe njohuritë e kapitalit njerëzor vendas. Transformimi i ekonomisë do të pasohet nga sërë masash mbështetëse të menduara mirë, praktike dhe të arritshme, të cilat me të vërtetë do të ndihmojnë biznesin tonë të jetë në rritje, në zhvillim dhe i qëndrueshëm. Si më parë, mbështetja kryesore do të jetë pikërisht forca lëvizëse e ekonomisë sonë, sektori më i madh i punësimit, krijuesi i vlerës dhe konsumatori më i fortë dhe këto janë kompani mikro dhe të vogla”, thuhet në Programin qeveritar.

Rrethanë lehtësuese për kompanitë e sapokrijuara do të jetë që Regjistri Qendror do të lëshojë detyrimisht të ashtuquajturën “Informator” me të gjitha informacionet e rëndësishme për të bërë biznes siç janë dokumentet e kërkuara për një kompani, procedura e regjistrimit të TVSH-së, mundësitë e ofruara nga shteti për subvencione dhe mbështetje, mënyrat e hyrjes dhe sigurimit të dokumentacionit nga institucionet shtetërore…

Ekipi ekonomik i Qeverisë do të duhet të punojë në zvogëlimin e kostove të marrjes së dokumentacionit të nevojshëm për nevojat e biznesit siç janë dokumentet nga Regjistri Qendror, doganat, dokumentet për pjesëmarrje në tender, etj, që kostoja e lëshimit të gjendjes aktuale të ndërmarrjeve do të ulet në mënyrë drastike, qëndron në Programin qeveritar.

Planet e Qeverisë janë që të heqin taksën e të ardhurave personale për trajnime, kualifikime dhe marrjen e licencave, e cila do të përmirësojë cilësinë e fuqisë punëtore në dispozicion të kompanive.

Qeveria gjithashtu njofton uljen e detyrimeve parafiskale deri në 75 për qind dhe nivelimin e tyre sipas madhësisë së subjekteve afariste, e cila është një nga kërkesat e odave të tregtisë. Kohët e fundit në takimin me kryeministrin Zoran Zaev, kryetarja e Lidhjes së Odave Ekonomike, Danella Arsovska deklaroi se detyrimet parafiskale janë barrë më e madhe për kompanitë, madje edhe se taksat.

Planifikohet të shfuqizohet tarifa për lidhjen e aparatit fiskal me serverat e DAP dhe tarifa për kontrollin e qarkullimit të kryer nga DAP, ndërsa servisimi i aparatit fiskal të jetë falas. Afati për ndryshimin e SIM kartelës nga një arkë fiskale do të rritet nga një në tre vjet.

Qeveria planifikon të krijojë regjistër të detyrimeve parafiskale që do të azhurnohet dhe plotësohet rregullisht, në mënyrë që kompanitë të kenë njohuri në çdo kohë dhe të jenë në gjendje të planifikojnë siç duhet aktivitetet e tyre financiare.

Marketing