Shpërthejnë zjarret në Greqi! Në një ditë 138 vatra zjarri, evakuohen edhe fshatrat

Për të dytën ditë rresht zjarrfikësit grekë po luftojnë me flakët pas shpërthimit të disa vatrave të zjarrit në një zonë pyjore që detyroi evakuimin e një fshati të vogël në perëndim të Athinës, zjarret e fundit pas një jave të vështirë për vendin, kur në të gjithë Greqinë mbizotërojnë erëra të fuqishme dhe temperatura të larta.

Marketing

Mbi 150 zjarrfikës të ndihmuar nga disa avionë dhe 42 mjete po luftojnë me zjarrin që shpërtheu rreth mesditës të së martës pranë qytetit bregdetar të Porto Germeno, 70 kilometra në perëndim të Athinës.

Edhe në Ilia të gadishullit të Peloponezit pas disa orësh forcat e brigadave zjarrfikëse me më shumë se 60 persona dhe 19 automjete kanë mundur ta vendosin nën kontroll zjarrin. Në zonën e Iteas janë djegur më shumë se 300 hektarë tokë ullishte, ndërsa zjarret që thuajse u shuan në zonën Pyrgos , përsëri kanë filluar të djegin sipërfaqe pyjore.

Sipas shërbimit zjarrfikës në 24 orët e fundit u regjistruan mbi 138 vatra zjarri në të gjithë vendin ,ndërsa bëhet thirrje për disa zona me rrezikshmëri të lartë zjarri në Athinë, në ishullin Evia, në disa zona të Selanikut , disa ishuj të Egjeut, në Halkidhiki, Viotia, Korinth, Kretë dhe në Greqinë perëndimore.

Disa ditë më parë në Greqi kanë mbërritur 28 nga 200 zjarrfikës me pajisjet e tyre nga Bullgaria, Finlanda, Franca, Gjermania, Rumania dhe Norvegjia të cilët ofrojnë mbështetje ndaj përballimit të zjarreve në vend për 60 ditë, si pjesë e ndihmës se financuar dhe koordinuar nën mekanizmin e mbrojtjes civile të BE-së.

Greqia është në gatishmëri të lartë këtë vit pasi vendi u përfshi nga disa zjarre në disa fronte vitin e kaluar për javë të tëra, duke djegur shtëpi dhe qindra mijëra hektarë pyje, pas valës më të keqe të të nxehtit në dekada.

Vendi ka gjithashtu kujtime të hidhura nga zjarri i vitit 2018 që përfshiu qytetin bregdetar veri-lindor të Matit pranë Athinës, duke lënë pas edhe 102 viktima.