“Shpërthen” virusi në shkolla, rreth 7 mijë nxënës në Kosovë të infektuar me COVID-19

Pas disa muajve ku rastet me COVID-19 kishin rënie dhe përgjatë 24 orëve konfirmoheshin shumë pak raste të të infektuarve me koronavirus, gjendja ndryshoi tërësisht në muajt dhjetor-janar.

Marketing

Nga më pak se 100 raste aktive sa kishin mbetur, tani në vend janë gjithsej 32 mijë e 906 raste aktive.

Si pasojë e përhapjes së madhe të virusit COVID-19 pa u infektuar nuk mbetën as fëmijët.

Madje një numër i madh i të infektuarve është i pranishëm edhe në shkollat fillore dhe ato të mesme.

Lidhur me këtë lajmi.net ka kontaktuar Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Sipas Ministrisë së Arsimit nga të dhënat e mbledhura deri më 31 janar 2022 janë gjithsej 1 mijë e 483 mësimdhënës të infektuar me koronavirus.

Poashtu është bërë e ditur se nga 298 mijë e 29 nxënës sa janë gjithsej, raste aktive me koronavirus janë 6 mijë e 657 prej tyre.

“Të dhënat e datës 31 janar 2022 që kanë sjellur Drejtoritë Komunale të Arsimit rreth numrit të të infektuarve nga stafi i mësimdhënësve dhe nxënësve me Covid 19 nëpër shkollat e Republikës së Kosovës. Nga 23 090 mësimdhënës, aktiv me Covid 19 janë 1 483 . Nga 298 029 nxënës, aktiv me Covid 19 janë 6 657. “, u tha në përgjigjen e ministrisë.

Përpos kësaj nga Ministria e Arsimit është bërë e ditur se janë gjithsej 641 shkolla në rikthim, ku mësimi po zhvillhet në bazë të tre skenarëve.

Në skenarin A janë 52 shkolla që do të thotë se mësimi po zhvillohet me prezencë në institucione, ku parashihet të mbrohen nga përmes masave të rekomanduara, si shkurtim i orëve, distanca, shkurtim i grupeve dhe të tjera.

Me skenarin B janë dy shkolla, që nënkupton mësimin e kombinuar: prezent dhe mësimin në distancë.

Kurse me skenarin C apo të tretë nënkuptohen kushtet që nuk parashihet të mbahet mësimi në shkollë, atëherë ka mësim në distancë, në TV apo përmes platformës online.

“Shkollat:
Me rikthim janë 641 shkolla
Skenari A 52 shkolla
Skenarin B 2 shkolla
Skenarin C 81 shkolla”.

Lidhur me këtë këshilltarja e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, Iliriana Pylla ka deklaruar se janë task forcat e shkollave dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit të cilat vendosin se me cilin nga skenarët do të mbajnë mësim.
“Varësisht nga numri i nxënësve ose mësimdhënësve të infektuar, aplikohet skenari dhe procesi i mësimit vazhdon pa ndërprerë”, theksoi ajo.
Ndryshe gjysmë vjetori i parë i vitit shkollor 2019/20 ishte zhvilluar në shkolla, ndërsa më 12 mars mësimi në objekte shkollore ishte ndërprerë për të rifilluar më 23 mars përmes RTK-së, pasi u regjistruan rastet e reja me COVID-19.

Mësimi nga distanca ishte domosdoshmëri pas situatës së krijuar nga pandemia. Pas zhvillimit të mësimit, ishte bërë edhe një udhëzues për vlerësimin e nxënësve nga distanca.

Sipas Ministrisë së Arsimit, në mësimin online janë përfshirë 89.4 për qind e nxënësve, ndërsa të tjerët nuk janë përfshirë në mungesë të teknologjisë.

E derisa situata e përballjes me pandeminë COVID-19 është duke vazhduar në nivel vendi, pasojat janë bartur jo vetëm në sistemin e shëndetësisë, por edhe në arsim.

Shumë prej fëmijëve kanë pasur probleme me ndjekjen e mësimeve online, sfidë kjo e cila siç duket do të vazhdojë deri në rënien e rasteve të të prekurve me koronavirus.