Shpërthim në një xhami të Kabulit, të paktën 5 viktima e 20 të plagosur

Të paktën pesë persona kanë humbur jetën dhe 20 të tjerë kanë mbetur të plagosur pas një shpërthimi në një xhami në Kabul. Ngjarja ndodhi pas faljes të së premtes, sipas një zëdhënësi të Talibanëve, ndërsa numri i viktimave dyshohet të jetë më i lartë.

Marketing

Shpërthimi ndodhi në zonën Serahi Alauddin të qytetit, njoftoi kanali privat afgan TOLO news duke cituar një dëshmitar okular.

Emergjenca, një organizatë joqeveritare që ofron trajtim mjekësor dhe kirurgjik falas për civilët afganë, tha në një postim në Twitter se 20 persona të plagosur ishin trajtuar në spitalin e saj pas shpërthimit.

Një seri shpërthimesh vdekjeprurëse, kryesisht me shënjestër komunitetin shiit Hazara, ka tronditur disa qytete afgane gjatë dy javëve të fundit. Shumica e sulmeve të fundit janë marrë përsipër nga grupi i lidhur me ISIS dhe rivali taleban ISIS-Khorsan (ISIS-K). Shpërthimi i së premtes ende nuk është marrë përsipër nga asnjë grup.