Ka qenë një natë e trazuar në shumë rajone të Ukrainës për shkak të sulmeve ajrore të Rusisë, e cila prej 590 ditësh tashmë vijon ofensivën e saj, në një akt agresioni të paprovokuar.
Shpërthime të fuqishme raportohet të jenë dëgjuar në Odesa e Kiev, teksa alarmi antiajror ka detyruar banorët të shkojnë në vendstrehime edhe në Kharkiv, Poltava, Khmelnytskyi, Chernivtsi e Kirovohrad.
Aktualisht raportohen dy civilë të vrarë në Sumy, por bilanci mund të jetë edhe më i rëndë pasi bombardimet kanë qenë tepër të intensifikuar.
Ndërkohë, Ukraina është kundërpërgjigjur me dronët e saj ujorë, të cilët u interceptuan nga mbrojtja ruse në Sebastopoli e Belgorod, duke mos i lejuar që të dëmtojnë florën në Detin e Zi.
Gjithashtu, burime nga Moska zyrtare bëjnë me dije se 5 dronë të tjerë u rrëzuan nga sistemi antiajror në afërsi të rajonit jugperëndimore të Belgorodit.
Presidenti Zelensky, ndërkohë, bëri një bilanc të pjesëmarrjes së tij në samitin e Komunitetit Politik Evropian, gjatë mesazhit të tij të përnatshëm drejtuar popullit ukrainas, teksa nuk harroi të falënderonte vendet aleate.
“Një ditë e gjatë dhe e ngarkuar. Shumë takime, negociata të rëndësishme. Do të kemi më shumë mbrojtje ajrore. Ka marrëveshje të qarta. Kjo është shumë e rëndësishme para dimrit. Ushtarët tanë do të kenë më shumë artileri. Do të ketë më shumë armë me rreze të gjatë veprimi”, tha Zelensky.