Vijojnë për të dytën ditë rradhazi protestat në Liban. Mijëra qytetarë, të zemëruar me liderët politikë, kanë dalë në rrugë për të protestuar, pasi një shpërthim i fuqishëm la të vdekur të paktën 154 persona në Bejrut.
BBC raporton se policia përdori gaz lotsjellës ndaj demonstruesve, të cilët akuzojnë qeverinë për ngjarjen e rëndë.
Qytetarët do të marshojnë sot në zonën e shkatërruar nga shpërthimi në pjesën ku ndodhet porti i qytetit. Ata u shprehën se kjo protestë po ashtu është për të përkujtuar viktimat dhe mbi 5 mijë të plagosurit nga shpërthimi, por edhe për të shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë.
Shpërthimi ndodhi më 4 Gusht, në portin e qytetit, në një depozitë nitrati amoni që mbante më shumë se 2500 tonë nga substanca e rrezikshme që përdoret edhe për bomba.
Sipas raportimeve, më shumë se 300 mijë persona kanë mbetur pa shtëpi dhe thuajse 50% e godinave në Bejrut kanë pësuar dëmtime pas shpërthimit tragjik.
Kostot ekonomike të kësaj tragjedie mendohet të arrijnë te 5 miliardë dollarë, duke çuar në prag të falimentimit Libanin, një shtet që ishte në vështirësi ekonomike edhe para tragjedisë, me protesta të shumta që po zhvilloheshin në të gjithë vendin.